Maqedonci: Programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera

  • A.P /
  • 11 January 2024 - 22:00
Maqedonci: Programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera

Ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizimin me sistemin raketor anti-tank “Javelin” me efikasitet të lartë veprimi, që është i nevojshëm për FSK-në. Ai tha se kërkesa për armatim është adresuar kryesisht nga vitit 2020, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Maqedonci tha se SHBA-të në vazhdimësi kanë qenë partneri kyç i Kosovës që e kanë përcjell në vazhdimësi zhvillimin e FSK-së dhe e kanë mbështetur tranzicionin e saj.

“Në vazhdimësi prej vitit 2019 kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar zbatimin e planit të tranzicionit ne kemi vendos planifikimin në vend në mënyrë që të adresojmë kërkesat e nevojshme për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë në mënyrë që të furnizojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të armatimit. Në këtë aspekt gjatë gjithë kësaj kohe, e veçanërisht pas vitit 2020 kur në qeverinë Kurti 1 ne kemi filluar të adresojmë kërkesat e bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes për blerje ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këto ditë siç u bë ditur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan kërkesën për sistemin “ Javelin” që është një sistem raketor anti-tank modern dhe me efikasitet të lartë dhe që është pjesë e inventarit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, ky vendim është i rëndësishëm veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në një forcë moderne dhe të gatshme për të realizuar detyrat e saj ndër të cilat është edhe mbrojtja e territorit.

Ai bëri me dije se programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera.

“Po sistemet do të blihen bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit…Aktualisht jemi në fazën e zhvillimeve të kapaciteteve të këmbësorisë që do të jenë të gatshme për të zhvilluar operacione luftarake, e për të kaluar në fazën tjetër që do të jetë faza e kapaciteteve kundërajrore, faza e mbështetjes ajrore dhe faza e zhvillimeve të kapaciteteve logjistike të FSK-së”, deklaroi Maqedonci .

Sipas tij, janë bërë hapa shumë më përpara, sidomos siç tha ai, mbështetja e vazhdueshme nga kryeministri Kurti, që me buxhet shtesë gjatë këtyre tri viteve të fundit, ka ndihmuar në mënyrë shumë të ndjeshme zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe i ka mundësuar Ministrisë së Mbrojtjes që të mbështes këto kapacitete.

(Kosova Sot Online)