Ja sa raketa 'Javelin' ka kërkuar Kosova t'i blejë nga SHBA

  • A.P /
  • 12 January 2024 - 14:09
Ja sa raketa 'Javelin' ka kërkuar Kosova t'i blejë nga SHBA

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit, thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F.

Në këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre dhe vlera e përgjithshme llogaritet të jetë 75 milionë dollarë.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Tani kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftimin e agjencisë së Departamentit të Shtetit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se kjo shitje “do të përmirësojë sigurinë e Kosovës dhe do të zhvillojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe në bashkëpunim me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin bazë ushtarak në rajon dhe pa pasoja në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

Forca e Sigurisë së Kosovës, konfirmoi të enjten në mbrëmje se qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje ushtarake përmes programit FMS (Shitjet e Huaja Ushtarake).

“Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales). Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin”, por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin Javelin është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentin e Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. 

Më herët gjatë ditës së djeshme, ambasadori amerikan në Serbi, Chris Hill njoftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se Shtetet e Bashkuara kishin pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketahedhës antitank Javelin.

Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, nga ku fillon procedura zyrtare.

Në një njoftim, presidenca serbe tha se presidenti Vuçiç shprehu “zhgënjimin e thellë” ndaj kësaj shitjeje të pritshme, por theksoi se se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

“Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Sistemet Javelin për Kosovën do të sigurohen përmes kompanive Lockheed Martin në Orlando të Floridës dhe Raytheon Missiles dhe Defense në Tukson të Arizonës.

(Kosova Sot Online)