E zbulon Berisha: Prokuroria në SHBA pranoi se McGonigal u korruptua nga Edi Rama

  • A.P /
  • 12 January 2024 - 17:16
E zbulon Berisha: Prokuroria në SHBA pranoi se McGonigal u korruptua nga Edi Rama

Është zhvilluar mbrëmjen e djeshme protesta e 11-të e mbështetësve të liderit të opozitës, Sali Berisha, poshtë banesës së tij. Qytetarët shtohen nga dita në ditë tek “Rrugica e Shpresës” në shenjë solidarizimi me liderin Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Postimi i plotë:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, luftëtarë të lirisë, misionarë në një kthesë të madhe historike për shoqërinë shqiptare, kombin shqiptar dhe Shqipërinë.

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj!

Çdo natë, ju mblidheni këtu dhe ngrini zërin tuaj të fuqishëm kundër kësaj diktature, kundër këtij pushtimi shkatërrimtar që është vendosur në Shqipëri.

Por ju garantoj se jeni sot simboli më i ndritur i shpresës për shqiptarët.  Se jeni sot, simboli që rrezaton sot në të katër anët e vendit shpresë. Jeni sot drita që ndriçon rrugën e mendjes për çdo shqiptar. Përpjekja juaj, beteja që ju nisët, zgjon çdo ditë e më shumë luanin e fjetur në zemrat e demokrateve dhe demokratëve, në zemrat e opozitarëve të Shqipërisë.

Drita që ju lëshoni, era e shpresës dhe ndryshimit, tmerron çdo ditë, struk çdo ditë Edi Ramën, aleancën e krimit dhe nxjerr para shqiptarëve të gjithë shëmtinë e tij.

Miqtë e mi, një president i madh amerikan, Abraham Linkoln, ka thënë njëherë, se një njeri mund të jetë shumica, ndaj dhe ju garantoj se ju sot këtu jeni shumica. Ju jeni shumica sepse guximi juaj i jep guximit mbarë qytetarëve. Sepse shpresa që mbillni është jetike për shumicën e shqiptarëve. Ju jeni shumica sepse shumica nuk e do kurrë këtë pushtim të aleancës së krimit me pushtetin. Ju jeni shumica, sepse duhet një shesh për t’u përballur për një kauzë të drejtë. Duhet një shesh për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’u dalë zot të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Duhet një shesh për t’u thënë shqiptarëve se Shqipëria nuk do jetë kurrë pa opozitë.

Se ëndrra e Edi Ramës për një Shqipëri pa opozitë, do bëhet pluhur nga ju.

Një thirrje kam për mbarë qytetarët shqiptarë: të mos harrojmë se sot nga thellësitë e tokës së këtij vendi, sot mbarë shoqëria shqiptare gjëmon një zë, kumbon një zë, kumbon një thirrje, çfarë po bën ti për Shqipërinë?

Kjo thirrje, të cilën Xhon Kenedi e formuloi aq bukur, është një thirrje e përjetshme për të gjithë qytetarët që shohin veten e tyre në lëngim, në vuajtje, në mjerim.

Ju dëgjoj shpesh, lexoj në media të thonë se çfarë po bën bota ndaj kësaj që ndodh në Shqipëri.

Të dashur miq!

Bota po bën atë që duhet të bëjë, por ne kemi një problem të madh.

Vendin e mbulon një vello e zezë e propagandës së mashtrimit të narkoregjimit të Edi Ramës. Çfarë mund të bëjë bota më shumë se sa të dërgojë në sallën e gjyqit, Edi Ramën si të korruptuar? Çfarë presin shqiptarët më shumë se kaq?

Dje, në mediat e SHBA, mediat e Europës dhe mbarë botës, superlajmi ishte se prokurori federal i Uashingtonit, dërgoi në gjykatë dosjen e McGonigal, në të cilën McGonigal pranon se ka marrë ryshfet nga Edi Rama. Pranon pra, se Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, korruptoi me para krimi shefin e kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun.

Në këtë dosje pranohet se Edi Rama i ngarkoi atij misionin makabër të betejës, të shkatërrimit, kundër opozitës shqiptare. Të shpalljes non-grata të Sali Berishës dhe betejës së egër kundër PD. Kjo dosje që u dorëzua në gjykatë, pranon se McGonigal ndërhyri te Edi Rama, pra me korrupsion, ndërhyri te i korruptuari Edi Rama për t’i dhënë licencë nafte, kujt thoni ju, ish-oficerit të policisë sekret, famëziut Agron Neza dhe ministrit të korruptuar, Damian Gjiknuri.

Atëherë a duhet të pyesim veten, çfarë mund të bëjnë më shumë se kaq, për ne?

Sigurisht kjo është një mbështetje, një ndihmë e jashtëzakonshme për opozitën dhe çdo shqiptar.

E megjithatë miqtë e mi, megjithëse kjo pati efekte të një bombe të fuqishme në Europë dhe botë, të një eksplozioni të fuqishëm, ju e vutë re se dje dhe pardje, këtu në Tiranë, këtu në Shqipëri, 95 përqind e mediave, e injoruan, e fshehën, e censuruan lajmin.

Pra, atëherë lind pyetja: çfarë duhet të bëjmë ne? A mund të pranojmë më tej një kryeministër të skandaleve më të mëdha ndërkombëtare?

Në të gjithë hapësirën euroatlantike, Edi Rama është kryeministri i vetëm i damkosur nga drejtësia e SHBA si i korruptuar, i damkosur si njeriu që korruptoi shefin e kundërzbulimit të SHBA, i damkosur si njeriu që me korrupsion hoqi licenca dhe i dha licencë ministrit të tij dhe kalecit të sigurimit të Enver Hoxhës.

Ja pra, për çdo shqiptar, këto duhet të jenë alarm, këto duhet të jenë thirrje.

Sot shqiptarët mbarë popuj tjerë i shohin me një habi. Habia është kjo: si ka mundësi që kryeministri i tyre në gjykatë dhe ata nuk ngrihen, dhe mbajnë një njeri të dokumentuar në skandalin më të madh ndërkombëtar të viteve si njeri i korruptuar, si njeri që për pushtetin e tij, për të shkatërruar opozitën e vendit të tij, nuk njeh asnjë normë, asnjë miqësi, asnjë aleancë, asnjë traktat?

Miqtë e mi!

E solla këtë rast para së gjithash për të treguar se sa rëndësi jetike ka protesta juaj sot. Se çfarë rëndësie jetike ka misioni juaj sot. Në këtë vend, ku mediat kontrollohen barbarisht nga regjimi, media e lirë e vetme, kryesore, jeni ju, qytetarët që mblidheni këtu në protestë me guxim dhe i bëni gjyqin diktaturës. I bëni gjyqin narkodiktatorit. U ngjallni shpresë shqiptarëve kudo që janë.

Shpreh kënaqësi dhe mirënjohje për fjalimet frymëzuese të oratorëve. Përshëndes në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë, të rinjtë që flasin nga tribuna e kësaj proteste. Fuqia e kësaj lëvizje, fuqia e përmbysjes së diktaturës, qëndron pikërisht te të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë.

Ndaj dhe ftoj përsëri dhe çdo natë do ftoj të rinjtë të bëhen luftëtarë për ëndrrat e tyre. Të ngrihen në betejë me të keqen që ka pllakosur vendin, sepse Shqipëria do jetë e bukura e dheut vetëm atëherë kur të jetë streha, djepi, foleja e ëndrrave të të rinjve shqiptarë.

Edi Rama po përpëlitet. Emri të doli në Uashington si njeriu më i korruptuar në hapësirën euroatlantike. Emri do të dalë dhe të del edhe për pabesitë e tjera kriminale, shitjen e të dhënave sekrete të TIMS armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s. Edi Rama, emri të del dhe do të dalë në aferat e tmerrshme shumëmiliardëshe, por dije mirë se fundin tënd do ta firmosin shqiptarët, do ta firmosin misionarët e kësaj rruge nën ballkon.

Edi, këta janë tmerri yt, këta janë fundi yt.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj demokratët të bashkohen në këtë mision për shpëtimin e Shqipërisë. Të bashkohen në këtë mision për rivendosjen e pluralizmit. Të bashkohen në këtë mision për përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës.

Dhe i garantoj se ky regjim nuk ka të ardhme. Se kjo karabina e tyre është një ndërtesë e kalbur që pret vetëm shtytjen e mosbindjes civile të shqiptarëve.

Nuk ke shpresë Edi Rama!

Mashtrimet tua, trillimet e tua çdo ditë, po u vjen fundi.

Drita e së vërtetës, që frymëzon këto qytetare dhe qytetarë, drita e të vërtetës që frymëzon çdo ditë e më shumë shqiptarët, do të verbojë, do të rrëzojë ty dhe regjimin tënd të drogës, krimit dhe korrupsionit.

Edhe njëherë, mirënjohje të pakufijshme dhe suksese gjithnjë e më të mëdha në këtë betejë epike, në këtë betejë të një rëndësie historike për fatin e shqiptarëve, për fatin e Shqipërisë, për fatin e pluralizmit, për fatin e të ardhmes sonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Faleminderit shumë!

(Kosova Sot Online)