Detaje nga gjendja e të lënduarve nga shpërthimi në Kçiq, njëri prej tyre pritet të dërgohet në Suedi

  • A.P /
  • 14 January 2024 - 13:54
Detaje nga gjendja e të lënduarve nga shpërthimi në Kçiq, njëri prej tyre pritet të dërgohet në Suedi

Për gjendjen e katër pacientëve që po trajtohen në këtë klinikë pasi u lënduan rëndë nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq,  ka folur mjekja kujdestare në Mjekim Intensiv, Agreta Gashi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo tha se është stabilizuar gjendja e tyre, mirëpo vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.

Gashi bëri të ditur se njëri nga pacientët, fëmijë rreth moshës 10 vjeçare, do të dërgohet në Suedi pasi është shtetase suedeze.

“Kemi arritur me stabilizu gjendjen, por vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre po dërgohet për trajtim jashtë vendit, në Suedi, meqenëse është shtetase suedeze dhe është me përqindje më të lartë të djegies. Është rreth 10 vjeç”, tha ajo për Gazetën Express.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:30 dhe si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, janë lënduar 15 persona.

Sipas raportit të Policisë bombola ka shpërthyer në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin viktimat.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Kçiq i Madh, Mitrovicë Jugu / 13.01.2024 – 16:35. Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.”

(Kosova Sot Online)