Sveçla: Ja pse tensionet në veriun e vendit arritën deri te sulmi ndaj policisë më 24 shtator

  • A.P /
  • 15 January 2024 - 16:28
Sveçla: Ja pse tensionet në veriun e vendit arritën deri te sulmi ndaj policisë më 24 shtator

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se mosreagimi i duhur dhe me kohë nga Prokuroria për kidnapimin e policëve të Kosovës bëri që tensionet në veriun e vendit të mbërrijnë deri te sulmi ndaj Policisë më 24 shtator, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sveçla tha në Komisionin parlamentar për Siguri se “edhe terroristët, por edhe vetë Serbia do të ishte shumë më e rezervuar me sulme ndaj Kosovës”, në rast se nuk do të vononte ky reagim.

“Vonesat tona, toleranca nga dikush tjetër, i ka trimëruar ata të vijnë deri te rasti i Banjskës. Ne mund të pajtohemi që edhe mund të mos jetë rasti i fundit. Prej Serbisë pritet gjithçka. Është shumë me rëndësi, që si masë preventive të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm që këta terroristë të vihen para drejtësisë. Nuk kemi edhe shumë kohë. Kemi dëshmi e suksese, por nuk e kemi kohën e pafundme që të shkojmë deri në perfeksion, të cilën asnjë agjencion i sigurisë në botë nuk e ka pasur. Në qoftë se dikush dëshiron, apo ka vullnet t’i lirojë kriminelët, pavarësisht dëshmive të policisë, aty po thirremi pastaj në pushtete të ndara”, tha Sveçla.

Ministri foli edhe për pajisjen e policëve me armë të gjata, të cilat tha se do t’i kenë “të gjitha patrullat”.

“Ka qenë pak e çuditshme për mua se si më herët nuk kanë pasur të gjithë zyrtarët policorë certifikim për përdorim të armëve të gjata. Ne i jemi futur këtij procesi dhe të gjithë zyrtarët do të jenë të trajnuar edhe për përdorimin e armëve të gjata që i kanë në dispozicion”, u shpreh ai.

Sveçla tha se procesi hetimor për Banjskën tash është në duart e Prokurorisë dhe se beson që Prokuroria do të fillojë me ngritjen e aktakuzave dhe të dalë me raport përfundimtar për sulmin.

“Një pjesë e këtyre dëshmive janë publike, e një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë besoj fuqishëm se është koha e fundit që prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raport përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmente tjera të punës së institucioneve, e sidomos në diplomaci, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë zyrtarisht të jenë të informuar se çfarë ka ndodhur me sulmin në Banjskë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar, si qëllimi i këtij grupi terrorist dhe të gjitha elementet tjera që e kanë mbështet, qoftë financiarisht, qoftë me trajnime e pajisje këtë grup terrorist që duhet tashmë se ka pasur për qëllim aneksimin e një pjese të veriut të Kosovës”, tha ai.

Sveçla tha se në Prokurori ka dëshmi të mjaftueshme dhe se Policia ka bërë identifikimin e “shumicës së pjesëmarrësve” në sulm, të kaluarën e tyre e angazhimin e tyre në rastet tjera.


(Kosova Sot Online)