Pas tensioneve në parlamentin e Shqipërisë, Begaj nuk mban dot fjalën

  • A.P /
  • 15 January 2024 - 19:27
Pas tensioneve në parlamentin e Shqipërisë, Begaj nuk mban dot fjalën

Në Shqipëri sesioni i ri parlamentar nisi edhe sot pasdite në një atmosferë tensioni në sallë ku një pjesë e deputetëve demokratë, që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha qëndruan në këmbë duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në hapje të këtij sesioni ishte parashikuar dhe një fjalim i presidentit Bajram Begaj. Drejtuesja e seancës zonja Lindita Nikolla u kërkoi deputetëve të uleshin në vendet e tyre, ndërsa këta të fundit qëndronin me parulla kundër qeverisë në duar. Ata këmbëngulën që fillimisht të largoheshin punonjësit e gardës të rreshtuar përpara podiumit, dhe vijuan me protestën, ndërsa akuzuan presidentin se me praninë e tij, ishte vënë në shërbim të shumicës.

Situata e tensionuar e bëri të pamundur mbajtjen e fjalimit nga kreu i shtetit, i cili njoftoi se do ta lexonte më pas nga zyra e tij, mesazhin e përgatitur për t’iu drejtuar parlamentit.

Seanca e sotme u parapri nga një deklaratë e ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit europian Silvio Gonzato, i cili u kujtoi forcave politike se zbatimi i reformave që kërkohen në rrugën e integrimit europian kërkon “funksionimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve”.

Protestat e disa grupeve të opozitës kanë nisur që prej muajve të fundit të vitit të kaluar, për shkak të mohimit sipas tyre të së drejtës për ngritjen e komisioneve hetimore apo dhe mos marrjes në konsideratë të ndryshimeve që ata kanë kërkuar në përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore.


(Kosova Sot Online)