Kurti: Shqiptarët janë popull të vatrës dhe që e duan shtëpinë e tyre

  • A.P /
  • 15 January 2024 - 19:52
Kurti: Shqiptarët janë popull të vatrës dhe që e duan shtëpinë e tyre

Shqiptarët janë popull të vatrës dhe që e duan shumë shtëpinë e tyre, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në hapjen e `showroom`-it të kompanive kosovare në panairin ndërkombëtar të produkteve të përpunimit të drurit ‘Swisbau’ në Cyrih, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë panair po marrin pjesë edhe 12 kompani nga Kosova me prodhimet e tyre, e për të cilat Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë e ka siguruar hapësirën ekspozuese në këtë panair për këto kompani vendore.

“Sot paradite ishim në Reçak ku kujtuam 25 vjetorin e masakrës atje, e cila tronditi opinionin ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore dhe lëvizi NATO-n për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Pra, një çerek shekulli më herët ishim nën kthetrat e Serbisë gjenocidale dhe tash 25 vjet më vonë, ne, jemi këtu në Cyrih, duke treguar se Kosova është storie suksesi e intervenimit të NATO-s, e kombinimit mes zhvillimit ekonomik me progres demokratik dhe njëkohësisht e një sektori privat i cili po lulëzon jo vetëm në Kosovë, por edhe në Zvicër, në Skandinavi, SHBA, e kudo në Evropë, e gjithnjë pa harruar  e duke e kujtuar Kosovën, prej nga vijmë të gjithë ne”, ka theksuar Kurti gjatë adresimit para të pranishmëve.

Ai tutje ka thënë se mbase nuk është e rastësishme që një ndër organizatat kryesore të rilindjes kombëtare është quajtur ‘Vatra’. “Ne si popull, jemi popull të shtëpisë tonë, që e duam shumë. Jemi popull të vatrës, të vatrës që na e sjell ngrohjen e këndshme në shtëpitë tona. Dhe është shumë interesante pikërisht në sektorin e mobileve, në sektorin e shtëpive dhe atë të përpunimit të drurit eksporti është duke u zhvilluar në mënyrë marramendëse. E kjo ka të bëjë edhe me vet kulturën, historinë dhe traditën e popullit tonë. Prandaj, para një  çerek shekulli pati dështuar plani i Serbisë, që duke na vrarë, dëbuar, burgosur e duke na djegur 120 mijë shtëpi ta bëjë Kosovën ta pabanueshme”, ka shtuar Kurti.

Por, ai theksoi se populli i Kosovës dëshmoi se sa shumë e donë vatrën e vet, kur në qershor të vitit 1999 të gjithë refugjatët u rikthyen dhe të gjitha shtëpitë u rindërtuan. “Madje u rindërtuan shumë më tepër shtëpi se sa ishin shkatërruar. Kjo tregon sa e rëndësishme është shtëpia dhe vatra për popullin tonë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e saj. Mbase ky ‘showroom’ është një shprehje moderne e kësaj tradite dhe kulture të popullit tonë”, ka nënvizuar i pari i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se prezantimi i prodhimeve kosovare në këtë panair është një mundësi e mirë që ato të depërtojnë në tregun ndërkombëtar.

“Në Kosovë ekziston një kompani, e cila e merr drurin si lëndë të parë nga Austria dhe eksporton kuzhina në Zvicër. E Austria e Zvicra janë vende fqinje. Pra, hallka e mesme e industrisë, ku lënda e parë është në Austri e tregu është në Zvicrës, ndodhet në Kosovë. Kjo tregon  çfarë shpirti sipërmarrës kemi ne, por edhe për kushtet e favorshme që mund të krijohen në Kosovë për të bërë prodhimtari e për të bërë përpunim”, ka thënë Kurti.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës është ndryshe kur dëgjohet për një produkt, e të thonë të tjerët është i bukur, i mirë e i rehatshëm, e ndryshe edhe kur e sheh në një katalog të marketingut, por sipas tij “asgjë nuk e zëvendëson m e pamjen e produktit drejtpërsëdrejti dhe duke e provuar se  çfarë ndjenje krijon ai produkt”.

“Urojmë që produktet të ekspozohen sa më shumë dhe ky panair të jetë tjetër arsye që të rritet substancialisht eksporti, prodhimi e punësimi, e si rezultat edhe prosperiteti në vendin tonë”, ka përfunduar Kurti. 

(Kosova Sot Online)