Kurti: Ka mundësi që me Vuçiqin do të jemi në një panel në Davos

  • A P /
  • 15 January 2024 - 20:37
Kurti: Ka mundësi që me Vuçiqin do të jemi në një panel në Davos

Në prag të nisjes së Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Albin Kurti  ka theksuar se prioritet i takimeve bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe mos shkelja e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Natyrisht që për neve prioritet është siguria e Kosovës, e kufijve të saj. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi vjen së pari prej zbatimit e mos shkeljes së marrëveshjes bazë e së dyti nëpërmjet sigurisë ligjore, që kjo marrëveshje nuk do të shkelet e unë besoj se garancë për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, ka thënë Kurti.

Tutje i pari i ekzekutivit kosovar ka konfirmuar se do të ketë takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain.

“Ka mundësi që me presidentin e Serbisë do të jem në një panel, ndërkaq nesër do të kem takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, James O’Brain, i cili e njeh Kosovën që prej tri dekadash”, ka deklaruar ai.

(Kosova Sot Online)