6 vjet nga vrasja e Ivanoviqit, flet gruaja e tij: Ende nuk e dimë pse ndodhi

  • E.K /
  • 16 January 2024 - 13:10
6 vjet nga vrasja e Ivanoviqit, flet gruaja e tij: Ende nuk e dimë pse ndodhi

Milena Popoviq, gruaja e Oliver Ivanoviqit ka folur rreth vrasjes së bashkëshortit të saj më 16 janar të 2018-ës.

Ajo thotë se si edhe pas gjashtë viteve, akoma nuk kanë informata se pse u vra Ivanoviq.

“Fatkeqësisht, edhe pas plot gjashtë viteve, as unë dhe askush tjetër nuk kemi përgjigje në pyetjen se pse Oliveri është vrarë, por siç kam thënë 1 mijë herë më parë, e përsëris edhe sot në këtë vend, se jam absolutisht e sigurt që ne do të arrijmë tek e vërteta një ditë dhe do gjejmë se kush e mori jetën e Oliver-it më 16 Janar,” tha Popoviq në një deklaratë për gazetarë.

Popoviq shtoi se nuk kanë asgjë konkrete rreth rastit, pavarësisht bindjes se për një kohë të shkurtër do të kishin të paktën emrat e vrasësve.

“Hetimi është në rrugë të duhur, ndoshta edhe nuk është, por, përderisa koha kalon, kthehet prapa. Në ditën kur Oliveri ishte vrarë kam menduar se për një orë, një ditë ose ndoshta një muaj do të kishim emrat e vrasësve të Oliverit. Gjithsesi, koha ma mohoi këtë dhe gjashtë vite më vonë kemi një aktakuzë me të meta, që është ndryshuar disa herë, tre, katër herë, disa persona janë përmendur, por absolutisht asgjë konkrete dhe asgjë që jemi të interesuar ekskluzivisht, që është kush janë vrasësit dhe mbi të gjitha përgjegjësit” shtoi Popoviq.

Ajo shqetësohet rreth faktit se edhe sa do të mund të zgjasë hetimi, por është e bindur se një ditë vrasësit e burrit të saj do gjenden.

“Është thjeshtë e pakuptueshme se si pas gjashtë viteve nuk mund t’i gjejmë emrat e përgjegjësve. I besoj shtetit të Serbisë më së shumti këtu, por janë të limituar në një mënyrë, sepse nuk kanë bashkëpunim nga ana shqiptare. Ne kemi një hetim që është qe gjashtë vite dhe që, kam frikë, se do të zgjasë për kush e di se sa vite tjera, por siç thashë, të gjithë ata duhet të dinë se e vërteta nuk mund të fshihet dhe se jam absolutisht e sigurte se një ditë do e gjejmë se kush e vrau Oliverin” shtoi më tutje ajo.

(Kosova Sot Online)