Kurti: Kosova s’është thjesht një vend por një konkurrues evropian e global

  • A.P /
  • 16 January 2024 - 17:14
Kurti: Kosova s’është thjesht një vend por një konkurrues evropian e global

Në kuadër të Forumit Ekonomik të Davosit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Zvicër, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se kjo vizitë e tij në Davos është për të treguar që Kosova s’është thjesht një vend, por një konkurrues evropian e global.

Teksa ka folur për Kosovën, Kurti ka thënë se “reformat e pamëshirshme ligjore” kanë çmontuar rrjetet kriminale dhe kanë forcuar institucionet ligjore, duke e vendosur Kosovën lartë në indeksin e sundimit të ligjit.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se para 50 vitesh fjala më e famshme gjermane në Kosovë ka qenë “Baustelle”, ndërsa sot thotë se Qeveria e tij po punon që fjala më e famshme në Kosovë të jetë “Ausbildung”. Kurti ka thënë se kjo ka të bëjë me lidhjen e tregut të punësimit me aftësimin profesional.

“Para gjysmë shekulli fjala më e famshme gjermane në Kosovë ka qenë Baustelle. E sot po bëjmë gjithçka që fjala më e famshme gjermane në Kosovë të jetë Ausbildung. Pra, ta lidhim tregun me ekonomi që është edhe treg i punësimit me arsimimin dhe aftësimin profesional. Prandaj edhe në këtë vit ne kemi bërë një kapërcim cilësor me ç’rast në 21 shkolla mësohen 12 profile, në 14 komuna anë e mbanë Kosovës, ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi një vend pune”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë:

 Jemi mbledhur këtu në Sëissbau, jo vetëm si pjesëmarrës dhe ekspozues, por si vizionarë dhe ambasadorë të një vendi i cili përmban potencial të jashtëzakonshëm. Aktualitetin e kemi gjithnjë e më të mirë, por edhe më lartë se sa aktualiteti ynë është potencialiteti për vendin, popullin, shoqërinë dhe ekonominë tonë. Jemi këtu për të ndërtuar lidhje, për të shfaqur cilësinë tonë dhe për të demonstruar se Kosova nuk është thjesht një vend, por një konkurrues evropian e global.

Dje, kemi festuar hapjen e një salloni të mobilieve të prodhuara në Kosovë, në një hapësirë ku zotësia dhe aftësia e popullit tonë shfaqen me krenari. Kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një pikë në një rrugëtim që ka parë shumë prodhues nga Kosova që i bashkojnë duart për të punuar dhe mendjet për të planifikuar, me ekspozues zviceranë të trashëgimisë shqiptare për të treguar përparësinë tonë kolektive.

E ndjej një emocion të thellë kur flas për udhëtimin e kombit tonë. Është një udhëtim i shënuar nga angazhimi për cilësi dhe përkushtimi për të treguar aftësitë tona në botë. Besimi që kemi ndërtuar, reformat që kemi zbatuar dhe rritja që kemi përjetuar janë që të gjitha të thurura në strukturën e shoqërisë sonë.

Progresi ynë në demokraci dhe në qeverisje ka sjellë prosperitet ekonomik, me produktet e Kosovës që bëjnë shenjë në tregjet ndërkombëtare. Treguesit tanë ekonomikë nuk janë thjesht shifra, por edhe histori të qëndrueshmërisë dhe të vizionit tonë të përbashkët.

Sundimi i ligjit dhe demokracia dhe të drejtat e njeriut kanë parë përparim të jashtëzakonshëm, me një organizatë prestigjioze sikurse Freedom House, e cila na rendit të tretin globalisht për përmirësimin demokratik dhe duke vlerësuar përpjekjet dhe rezultatet tona.

Reformat tona të pamëshirshme ligjore kanë çmontuar rrjetet kriminale dhe kanë forcuar institucionet tona ligjore, duke na vënë në renditjet më të larta rajonale në indeksin e sundimit të ligjit të Projektit Botëror të Drejtësisë, por njëkohësisht edhe sa i përket të drejtave politike e lirive civile sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ekonomikisht, ne udhëheqim në Ballkan me rritje, me një rritje të dukshme të eksporteve dhe me investime të huaja, që sa vijnë e shtohen duke reflektuar stabilitetin tonë institucional dhe besimin në rritje të tregut ku i kemi bashkë prodhuesit tanë dhe konsumatorët tonë. Por, çdo gjë tregon se do të bëhemi edhe më shumë një vend i orientuar kah eksporti. Nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet. Ku në tre vitet e fundit gjithsej, vlera e eksportit të Kosovës ka arritur 2.5 miliardë euro, ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfish krahasuar me gjashtë vitet e mëparshme (2015-2020), ku vlera totale e eksportit ishte rreth 2.2 miliardë euro. Sinergjia e qeverisjes së mirë dhe fuqisë ekonomike konkurruese na përgatit për një të ardhme gjithnjë më të ndritshme për të gjithë neve në një botë të integruar. 

Sot, dua të veçoj një simbol të veçantë të inovacionit tonë. Përveç këtyre 12 kompanive që erdhën së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e kemi edhe shtëpinë e parafabrikuar, të projektuar, të planifikuar e të prodhuar në Kosovë në secilën hollësi të saj, përveç se edhe në tërësi. Kjo shtëpi, e mbushur me mobiliet tona, ekspozohet për herë të parë në një panair, duke përfaqësuar aftësitë tona në arkitekturë dhe në dizajn. Ai qëndron si një fener i asaj që ne mund t’i ofrojmë botës – jo vetëm për sa i përket produkteve, por edhe për sa i përket zgjidhjeve të plota të jetesës. Pra, modeli ynë, shtëpia e Kosovës.

Ndërsa flasim për shtëpitë dhe hapësirat, le të parashikojmë edhe të ardhmen ku shtëpitë dhe restorantet ndërkombëtarisht do të shërbejnë ushqime të bëra në Kosovë. Pra, jo vetëm një vend ku banohet, por edhe një vend ku jetohet, ku ushqehemi mirë me prodhimet gjithnjë e më cilësore nga vendi ynë. Është një e ardhme drejt së cilës ne po ndërtojmë, me çdo produkt e me partneritet të cilat krijojmë.

Industria e mobilieve përfaqëson një gurthemel të strukturës sonë ekonomike. Vitet e fundit, ne kemi parë ritme mbresëlënëse rritjeje dyshifrore.

Para gjysmë shekulli fjala më e famshme gjermane në Kosovë ka qenë Baustelle. E sot po bëjmë gjithçka që fjala më e famshme gjermane në Kosovë të jetë Ausbildung. Pra, ta lidhim tregun me ekonomi që është edhe treg i punësimit me arsimimin dhe aftësimin profesional. Prandaj edhe në këtë vit ne kemi bërë një kapërcim cilësor me ç’rast në 21 shkolla mësohen 12 profile, në 14 komuna anë e mbanë Kosovës, ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi një vend pune.

E dimë që mbase jo vetëm qëllimi, por më parë shtysa e financave është fitimi. Ndërkaq jo vetëm qëllimi sërish, por shtysa e industrisë është zgjerimi. Na duhen të dyja edhe fitimi edhe zgjerimi, pra edhe financat edhe industria. Njëra pa tjetrën nuk bëjnë e të dyja bashkë janë tamam.

Por në këtë vizion Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër, znj. Rozeta si ministre nuk përpiqemi të imponohemi si një superstrukturë e prodhimtarisë, por përkundrazi si një infrastrukturë që e ndihmon atë të gjejë tregjet e reja me prodhime gjithnjë e më cilësore. 

Sektori i drurit në Kosovë është tashmë një ekosistem i gjallë me mbi një mijë kompanive, me prodhimin e mobilieve që punëson një numër të konsiderueshëm të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Besimi që keni në Kosovë është themeli mbi të cilin ne ndërtojmë. Ky shoëroom-i ynë, shtëpia jonë e parafabrikuar dhe ushqimi ynë janë më shumë se mallra; ato janë thelbi i Kosovës – zemra jonë, inovacioni ynë, por edhe premtimi ynë për të ardhmen që lidhet me kulturën e traditën tonë nga e kaluara.

Investoni në Kosovë dhe investoni në një partneritet i cili e vlerëson rritjen, cilësinë dhe besueshmërinë. Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim përparimi dhe prosperiteti si një vend në të cilin nuk keni nevojë të trokisni në dyer për të hyrë brenda. Le ta bëjmë realitet së bashku vizionin e një Kosove të njohur globalisht, të mirënjohur ndërkombëtarisht.

Në mbyllje, le të festojmë jo vetëm atë që kemi arritur, por edhe atë që do të vijë. Produktet e paraqitura këtu janë një dëshmi e potencialit tonë dhe një premtim i asaj që ne aspirojmë të arrijmë.

Këtu është një e ardhme ku çdo shtëpi dhe çdo ushqim dhe çdo zbavitje dhe çdo punë i bën jehonë shpirtit të Kosovës e të kombit shqiptar. Për shëndetin, suksesin dhe një të ardhme të krijuar nga duart tona, e të festuar nga bota, ju përgëzoj për kontributin, ju dëshiroj suksese dhe ju falënderoj për vëmendjen.


(Kosova Sot Online)