E zbulon Maqedonci: Serbia ka vendosur 48 baza përgjatë vijës kufitare me Kosovën

  • a.[ /
  • 16 January 2024 - 22:13
E zbulon Maqedonci: Serbia ka vendosur 48 baza përgjatë vijës kufitare me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka vendosur 48 baza përgjatë vijës kufitare me Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Unë vlerësoj që presidentja, e në veçanti kryeministri vetëm janë duke e theksuar një fakt, e që është kërcënimi i vazhdueshëm që kemi nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh shumë faktorë, në mes tjerash bazamentin e krejt problemit që është qasja hegjemoniste dhe agresive e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës por edhe fqinj tjerë dhe që normalisht pasohet me veprimet që prodhon kjo qasje e që është zbarkimi i tri nga katër brigadat e ushtrisë së Republikës së Serbisë në jug të territorit të saj, jo shumë larg kufirit me Republikën e Kosovës dhe vendosjen e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës në një largësi 300m deri 5 km nga vija kufitare me Kosovën”, tha Maqedonci në “Pressing”.

Ai tregoi se çka janë këto baza të Serbisë që janë vendosur afër kufirit me Kosovën.

“28 nga këto janë baza tipike ushtarake, ku ka njësite ushtarake deri në 100 personel dhe pajisje dhe sisteme të armatimit të ndryshme dhe 20 prej tyre janë baza të xhandarmërisë ku gjithashtu ka pasjisje dhe sisteme që i përkasin njësive të xhandarërisë. Por fakti që këto janë shumë afër kufirit të vendit tonë, janë të vendosura përreth Kosovës, gjatë vijës kufitare, dhe janë të drejtuara armiqësisht në drejtim të vendit tonë, këto baza i bën kërcënim sepse ato nuk janë për të mbrojtur Serbinë, ato janë për ta mbajtur nën presion Republikën e Kosovës, dhe këto janë vetëm tejzgjatje e tri brigadave që janë në numër shumë më të madh dhe që gjenden në Nish, Rashkë dhe Vranjë. I gjithë ky dislokim ushtarak, i gjithë ky militarizim i Serbisë jugore, përfshirë edhe vijën kufitare me vendin tonë, tregon për një qasje agresive në raport me vendin tonë dhe tregon rrezikun real që e ka theksuar disa herë kryeministri Kurti për Kosovën që vjen nga kjo qasje. Duke i shtuar kësaj edhe elemente tjera që janë përdorur të luftës hibride siç janë angazhimi i grupeve të uniformuara dhe të armatosura në veri të vendit tonë, kontrabanda dhe aspekte tjera kriminale që janë zhvilluar dhe mbështetur nga struktura të sigurisë shtetërore të Serbisë, kjo e bën situatën me të vërtetë të rrezikshme. Asnjëherë kryeministri Kurti nuk e ka thënë këtë në panik, e ka thënë shumë i qetë, shumë i matur normalisht ka theksuar nevojën e vigjilencën që duhet të kemi”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)