Ish-zyrtari i Gjendjes Civile deklarohet i pafajshëm për korrupsion

  • A.P /
  • 17 January 2024 - 16:07
Ish-zyrtari i Gjendjes Civile deklarohet i pafajshëm për korrupsion

I akuzuari Bajram Kokalla në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Ndërsa, i akuzuari Riza Kroj pranoi fajësinë për “Vjedhje të identitetit dhe pajisje të qasjes”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokurorja Dëshirë Jusaj tha se marrë parasysh se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Kroj është bërë në mënyrë vullnetare dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës, nuk e kundërshton pranimin e fajësisë.

Më pas, gjykatësi i çështjes Ilir Rashkaj ka bërë veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Kokalla, pasi i akuzuari Kroj pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Në këtë seancë, i akuzuari Kroj para pranimit të fajësisë, u deklarua se heq dorë nga mbrojtja.

Në fund, gjykatësi Rashkaj caktoi datën për shpalljen e aktgjykimit për të akuzuarin Riza Kroj.

Kurse, i akuzuari Kokalla së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Meshari Selimaj, u njoftuan se kanë të drejtën e paraqitjes së kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 10 dhjetorit 2019, i akuzuari Bajram Kokalla, në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës nuk ka përfillur udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin përcaktohen kriteret e fitimit të shtetësisë, nuk e ka bërë verifikimin e palës në Zyrën e Gjendjes Civile, duke e regjistruar dhe bërë rishkrimin e datës së lindjes së tij me gjenerim të numrit personal, i cili regjistrim i ka shërbyer më pas të pandehurit Riza Kroj, që në emër të palës së dëmtuar M.B., të aplikojë dhe të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, i pandehuri Bajram Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari Riza Kroj, ngarkohet se më 10 nëntor 2019 në Gjakovë, tek Zyra e Gjendjes Civile, gjatë aplikimit për letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ka prezentuar dokumentin kroat të pasluftës me përmbajtje “Dozvola Boravka”, duke u regjistruar në sistemin e Gjendjes Civile në emër të të dëmtuarit M.B, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këto veprime, i pandehuri Riza Kroj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” nga neni 336, par.1 të Kodit Penal.

(Kosova Sot Online)