Lista Serbe për vendimin e ri të BQK-së: Vendim për të dëbuar serbët

  • E.K /
  • 18 January 2024 - 14:29
Lista Serbe për vendimin e ri të BQK-së: Vendim për të dëbuar serbët

Lista Serbe ka reaguar pas vendimit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës që valuta e vetme e lejuar në Kosovë për kryerjen e transaksionit të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës të jetë euro, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet në rregullore të BQK-së.

E Lista Serbe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po synon “të dëbojë serbët pa përdorur armë”.

“Vendimi i regjimit të Albin Kurtit që nga 1 shkurti të ndalojë përdorimin e dinarit serb në Kosovë e M. është në fakt vendim për të dëbuar serbët nga këto zona pa përdorur armët”, ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

(Kosova Sot Online)