FSK dërgon një kontigjent në këtë shtet

  • A.P /
  • 18 January 2024 - 18:44
FSK dërgon një kontigjent në këtë shtet

Në Ministrinë e Mbrojtjes të enjten është mbajtur ceremonia e nisjes së Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Operacionin INTERFLEX, që realizohet në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i MM-së, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, zëvendës ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në  Kosovë, Paul O’Connor, drejtori i NALT, gjeneral brigade, Ralf Hammerstein, zv.Sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Gafurr Dugolli, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, si dhe zyrtarë të lartë dhe oficerë të MM-së dhe FSK-së, si dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Maqedonci, me këtë rast tha se sot po shënohet një sukses i radhës i FSK-së dhe një arritje tjetër e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Republikës së Kosovës, duke theksuar se pjesëmarrja e ekipeve të FSK-së, në kuadër të Operacionit INTERFLEX, për trajnimin dhe përgatitjen e ushtarakëve ukrainas, tregon për besimin që Mbretëria e Bashkuar si drejtuese e këtij aktiviteti shumëkombësh, ka në përkushtimin, integritetin dhe përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar ishte në krah të popullit dhe Republikës tonë në të gjitha etapat shtet ndërtimit dhe vazhdon të mbetet partneri ynë i pazëvendësueshëm, me të cilën kemi ndërtuar raporte përtej miqësore, raporte këto që kanë bazë vlerat e përbashkëta dhe besimin e ndërsjellë”, u shpreh ministri Maqedonci duke shtuar se Republika e Kosovës është plotësisht e vendosur në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euro-atlantike dhe e përkushtuar që të japë kontributin e saj për paqe dhe stabilitet jo vetëm në regjion por edhe më gjerë.

Në fund, ministri Maqedonci, i uroi kontingjentit të FSK-së punë të mbarë dhe suksese në detyrën e tyre fisnike dhe përmbyllje të suksesshme të misionit. 

Ndërsa, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari u shpreh i lumtur që përmes bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe Ushtrisë Britanike është arritur që të dërgohet ky kontingjent i ushtarakëve të FSK-së, si instruktorë në operacionin INTERFLEX.

“Si popull kemi kaluar shumë sfida dhe jemi ballafaquar vazhdimisht me agresorë, ne e kuptojmë më së miri rëndësinë e këtij misioni. Andaj, e kemi obligim të ndihmojmë popullin e Ukrainës në përpjekjet e tyre për liri, ashtu siç na kanë ndihmuar dhe kanë qëndruar pranë nesh aleatët tanë, në kohët më të vështira”, u shpreh Gjeneral Jashari, duke shtuar se ky mision i rëndësishëm dhe misione të ngjashme ku po angazhohet FSK, po tregojnë qartë që Kosova dita-ditës po shndërrohet nga konsumues i sigurisë në kontribuues të paqes në botë dhe i vlerave të mirëfillta demokratike.

Të pranishmëve në ceremoni iu drejtua edhe zëvendës ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Paul O’Connor, i cili u shpreh i kënaqur që Kosova ka përkrahur dhe ka demonstruar solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas, që nga fillimi i luftës. Gjithashtu, ai u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e FSK-së në këtë operacion vital në ndihmë të Ukrainës, dhe falënderoi ministrin Maqedonci, Gjeneral Jasharin, pjesëtarët e kontingjentit pjesëmarrës në këtë Operacion dhe të gjithë të përfshirët nga të dyja vendet, të cilët kanë mundësuar zhvillimin e këtij partneriteti. 

Operacioni INTERFEX zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar  dhe ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së Ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

“Ky angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në linjë me qëndrimin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)