Zbulohet arsyeja pse nesër nuk punohet te Komuna e Re e Prishtinës

  • A.P /
  • 18 January 2024 - 21:52
Zbulohet arsyeja pse nesër nuk punohet te Komuna e Re e Prishtinës

Nesër nuk do të punohet në objektin e komunës që gjendet në lagjen “Arbëria”, pasi sot ka rënë kulmi i këtij objekti dhe si pasojë është lënduar një person, ka njoftuar Komuna e Prishtinës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në njoftim thuhet se vendimi është marrë për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe sanimit të kulmit të objektit.

“Me konstatim të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca  të Kryeqytetit, ju njoftojmë se nesër nuk do të punohet në objektin e komunës e cila gjendet në lagjen “Arbëria”. Ky vendim është marr  për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe me qëllim të sanimit të infrastrukturës së kulmit të objektit”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari Përparim Rama përmes një postimi në Facebook, i cili ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.

”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.

 “Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Rama të enjten.

Tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

(Kosova Sot Online)