Daçiq vazhdon me retorikat e tij: Nuk do të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara

  • E.K /
  • 19 January 2024 - 08:00
Daçiq vazhdon me retorikat e tij: Nuk do të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha të enjten në Kampala se “Serbia nuk do të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara” dhe falënderoi “të gjitha vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.

Gjatë Samitit të 19-të të Lëvizjes së të Paangazhuarve, që po mbahet në Kampala, Daçiq theksoi se është e rëndësishme që interesat e Serbisë të jenë të pranishme në samitin e Lëvizjes së të Paangazhuarve në Ugandë, sepse ende një numër i madh të vendeve anëtare nuk e kanë njohur Kosovën.

“Këto janë kryesisht vendet tona mike, janë më shumë se 100 shtete që janë anëtare dhe për këtë është shumë e dobishme që ne të jemi të pranishëm dhe të marrim pjesë në aktivitetet e tyre”, tha Daçiq, përcjellë Radiotelevizioni serb.

Daçiq tha gjithashtu se Serbia është një vend ushtarakisht neutral, i përkushtuar ndaj angazhimit të saj strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, por theksoi se në të njëjtën kohë po forcon miqësitë tradicionale me vendet afrikane, të Amerikës Latine, Azia-Paqësorit dhe brenda Lëvizja e të Paangazhuarve.

(Kosova Sot Online)