Bektashi: Duhet kohë për t’i ndaluar pagesat me dinarë në Kosovë

  • E.K /
  • 19 January 2024 - 11:41
Bektashi: Duhet kohë për t’i ndaluar pagesat me dinarë në Kosovë

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, duke folur për rregulloren e re të BQK thotë se duhet pak më shumë kohë për ta zbatuar vendimin për ndalimin e pagesave me para të gatshme në dinarë.

“Shumë qytetarë serbë në Kosovë marrin ndihma, pensione dhe paga nga shteti i Serbisë dhe alternativa duhet të gjendet përmes bisedimeve nga institucionet kompetente”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë rast, shton ai, marrëveshjen që mjetet që arrijnë në dinarë të konvertohen në euro, duhet ta arrijnë dy qeveritë dhe Banka Qendrore e Kosovës me Bankën Popullore të Serbisë.

Si shembull, Bektashi përmend se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar financiarisht pjesëtarët e komunitetit shqiptar në komunat në jug të Serbisë: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Në shumicën e rasteve, ajo ndihmë ka shkuar përmes Bankës Qendrore apo bankave komerciale. Meqë Qeveria e Kosovës nuk ka dinarë, transaksionet i ka bërë përmes Bankës Qendrore [Banka Popullore e Serbisë], ku eurot janë këmbyer në dinarë, dhe përfituesit e fundit – në këtë rast komunat në Luginën e Preshevës – mjetet i kanë marrë në valutën e dinarit”, shpjegon Bektashi.

(Kosova Sot Online)