Mustafa: Draft-statusi i Asociacionit nuk duhet të mbahet sekret nga Qeveria Kurti

  • A.P /
  • 19 January 2024 - 20:12
Mustafa: Draft-statusi i Asociacionit nuk duhet të mbahet sekret nga Qeveria Kurti

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka deklaruar se draft-statusi i Asociacionit nuk duhet të mbahet sekret nga Qeveria, pasi sipas tij një dokument të tillë e ka edhe Serbia.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti se i ka dërguar komentet e tij për këtë draft, Mustafa ka thënë se e sfidon me publikimin e tyre në Facebook.

Mustafa tha se një deklaratë të tillë nuk mund ta besojë derisa të i shoh komentet e dërguara nga kryeministri.

“Ku janë ato vërejtje? A i ka parë dikush?…Cilin konfidencialitet, po flasim për një dokument për të cilin z.Kurti thoshte se nuk mund ta ndajë me deputetet dhe me mediat në Republikën e Kosovës, por të njëjtin dokument e kishte Aleksandër Vuçiq në Serbi. Pra, si mund të jetë ky dokument sekret, si nuk mund të ndahet me palët tjera në Kosovë: me partit politike, mediat, qytetarët e Kosovës përmes jush, por mund të ndahej me Vuçiq. Si mund një kryeministër i Kosovës të jap një deklaratë të tillë, e kam të paqartë, të pakuptimtë…Nuk është një dokument  sekret, nëse e ka e gjithë Serbia si mund të jetë dokument sekretë.  E dyta nëse Kurti ka dorëzuar komente në Bruksel për atë draft-statut le t’i ndajë, nëse jo me deputet, le të ia dorëzojë mediave… tek e fundit le ta postojë në Facebook. Unë e sfidojë Kurtin le ti publikojë komentet e tij që i ka dhënë në draft-statutin në Facebookun e tij, t’i shohim çfarë komentesh ka dhënë për atë dokument. Deri atëherë unë dhe gjithë të tjerët e konsiderojmë se nuk ka dhënë asnjë koment të vetëm”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Kurti ka deklaruar se ka dërguar vërejte për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor.

“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mija. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellë emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)