Osmani: Presidenti Rugova arriti që në një kohë të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca

  • A.P /
  • 21 January 2024 - 10:20
Osmani: Presidenti Rugova arriti që në një kohë të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca

Sot homazhe te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova, ka bërë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani ka thënë se Rugova në një kohë të vështirë arriti të ndërtonte aleanca, të cilat edhe sot i duhen Kosovës.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun i cili ia kushtoi cdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë sakrificash të popullit tonë. Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhen Kosovës, prandaj sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE e NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA’të. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, tha Osmani.

(Kosova Sot Online)