Murati: Dënimi me vdekje nuk ka dëshmuar se e ndalon krimin

  • A.P /
  • 22 January 2024 - 18:31
Murati: Dënimi me vdekje nuk ka dëshmuar se e ndalon krimin

Rreth thirrjes për “dënimin me vdekje”, që u aktualizua pas vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka deklaruar se kjo thirrje bëhet për t’i ikur përgjegjësisë që e kemi si shoqëri, transmeton gazeta "Kosova Sot Online"..

Ai thotë se në vendet demokratike, është ndaluar në masë të madhe ky dënim sepse sipas tij “dënimi me vdekje nuk ka dëshmuar se e ndalon krimin”.“Dhe në fund vijmë tek gjendja në të cilën është Kosova. Ky debat është i kot në praktikë. Mund të debatohet në nivelet akademike, por dënimi nuk mund të kthehet në Kosovë. Përveç nëse nuk duam të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Nuk mund të pranohesh në Këshillin e Evropës, nëse e ke dënimin me vdekje në fuqi. Ky është kusht i patejkalueshëm, sepse ndalimi i këtij dënimi në të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës është absolut edhe në rrethana lufte përmes Protokollit 13 (2002) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky debat shpesh zhvillohet edhe në Shqipëri. Situata është e njëjtë. Vetëm në rastin e fundit, shteti shqiptar nëse e kthen dënimin me vdekje përjashtohet nga Këshilli i Evropës”, shkruan ai tutje.

(Kosova Sot Online)