Berisha: Anëtarësimi në BE është bërë i pamundur prej Edi Ramës

  • A.P /
  • 22 January 2024 - 19:06
Berisha: Anëtarësimi në BE është bërë i pamundur prej Edi Ramës

Gjatë fjalës në tubimin qytetar në ‘rrugicën e Shpresës’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se, me anëtarësimi në BE është bërë i pamundur prej Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Mirënjohjen time më të thellë, përshëndetjet më të përzemërta për ju, luftëtarët e lirisë, që po mbillni shpresë dhe besim te çdo shqiptar.

Protesta juaj, qëndrimi juaj ka një rëndësi vendimtare për fatin e këtij vendi.

Për secilin prej nesh, për secilin shqiptar, fati më i bardhë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është anëtarësimi në BE.

Por, siç e shihni, ky anëtarësim është bërë një horizont i pamundur nga Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, grupet kriminale të organizuara në drejtësi dhe institucione të tjera.

Kështu që Shqipëria miqtë e mi, nga viti 2013 gjer sot, de facto ka ecur jo me ritmet e breshkës, por me ritme më të ngadalta se çdo vendi në historinë e Europës.

Në qoftë se ndalemi vetëm dy vitet e fundit, pas miratimit në parim të hapjes së negociatave, çfarë ndodhi? Duhet të hapeshin në fakt vetëm dy-tre muaj pas parimit.

Kanë kaluar 2-3 vjet. U tha në dhjetor, por në dhjetor erdhi lajmi tjetër se shtohen kushtet për Shqipërinë, para se të hapen negociatat.

Miqtë e mi, beteja për të çelur dyert e Europës është betejë e një rëndësie vendimtare për Shqipërinë.

Kemi mbetur dhe rrimë jashtë jo se BE nuk ka bërë dhe nuk bën përpjekje të jashtëzakonshme, por në krye kemi një qeveri, një kryeministër që nuk ka asnjë interes kombëtar, asnjë interes shoqëror, asnjë interes evropian, por vetëm interesa të pasurimit të vet, interesa kriminale.

(Kosova Sot Online)