Ja kur jep dorëheqje Qeveria e Maqedonisë së Veriut

  • A.P /
  • 23 January 2024 - 16:52
Ja kur jep dorëheqje Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevki, të enjten do të dorëzojë dorëheqjen, pas çka do të fillojnë procedurat për qeveri teknike, e cila duhet të zbatojë zgjedhjet parlamentare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Me dorëheqjen e kryeministrit maqedonas, e gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje dhe sipas tij, përgatitjet dhe ekipi i qeverisë teknike është në rrjedhë dhe pritet të finalizohet deri të premten.

I pyetur se a do të jetë Aleanca për Shqiptarët pjesë e frontit evropian, Kovaçevski nuk dha përgjigje konkrete por theksoi se, në koalicionin e tyre do të jenë të gjitha subjektet proevropiane dhe progresive.

“Vendi ynë ndodhet para një zgjedhje për BE apo për diçka tjetër, këtë e thotë edhe një përfaqësues i lartë i ShBA-së dhe atë e kanë të qartë të gjithë qytetarët tanë. Këto zgjedhje nuk do të jenë zgjedhje mes së majtës dhe të djathtës, por do të jenë zgjedhjes mes Perëndimin dhe Lindjes. Vlerësoj se, koalicioni ynë do t’i ketë të gjitha partitë politike që sot janë pjesë e këtij koalicioni proevropian, progresiv”, tha Kovaçevski.

Sa i përket paralajmërimeve për dorëheqjen e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, kryeministri u përgjigje se të enjten e gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje dhe nuk ka nevojë që asnjëri prej ministrave të bëj një gjë të tillë.

“Gjithë ky diskutim është në kontekst të ligjeve që i ka propozuar ministria e tij në Kuvend, për të cilat e di se tash më po përgatitet diskutim në Kuvend. Ka deputetë të cilët kanë mendime të ndryshme në lidhje me një pjesë të këtyre ligjeve. Bëhet fjalë për një grup të ligjeve për reforma në administratën publike, për marrëdhënie pune etj. Vlerësoj se, ministri Aliu do të ketë mundësi të mirë ta prezantojë gjithë këtë në diskutimin e komisionit parlamentare dhe më vonë në seancë plenare. Dhe mendoj se ai do të jetë ai që do t’i prezantojë dhe duhet t’i prezantojë, sepse me të vërtetë ka punuar shumë për finalizimin e tyre”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski beson se deri të enjten do të votohet qeveria teknike dhe porositi që të gjithë subjektet e përfshira në këtë proces të jenë serioz, duke aluaduar në paralajmërime e VMRO-së se, do të propozojë ministra në qeverinë teknike, por nuk do ta votojë atë.


(Kosova Sot Online)