Pentagoni njofton se nuk ka më fonde për Ukrainën

  • A.P /
  • 23 January 2024 - 20:11
Pentagoni njofton se nuk ka më fonde për Ukrainën

Për herë të parë që kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ngriti grupin ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën në prill të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara po mirëpresin 50 shtetet pjesëmarrëse në takimin mujor të radhës pa buxhet dhe pa mundësinë për të dërguar municion dhe raketat që i duhen Ukrainës për t’iu kundërpërgjigjur sulmit rus.

Ndërkohë që pritet që Kongresi të miratojë buxhetin dhe ndoshta më shumë fonde për luftën e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që aleatët do të vazhdojnë ta plotësojnë boshllëkun e krijuar.

E nxis këtë grup që të shkojë një hap më tutje për t’i dhënë Ukrainës më shumë sisteme mbrojtëse tokësore dhe raketa mbrojtëse që shpëtojnë jetë”, deklaroi Sekretari Austin në fjalimin e hapjes të mbajtur nga shtëpia, ku po shërohet nga një ndërhyrje kirurgjike për kancerin e prostatës. Deklarata e bërë me video ishte paraqitja e parë publike e zotit Austin, i cili dukej pak më i dobësuar. Sekretari Austin, 70 vjeç, qëndroi në spital për dy javë për shkak të komplikimeve pas operimit.

Të martën në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi për një kontratë të re të përbashkët në vlerë prej 1.2 miliardë dollarësh për të blerë mbi 222,000 predha municioni 155 milimetërshe. Ky lloj predhash janë ndër municionet më të përdorur në këtë konflikt dhe kontrata do të shfrytëzohet për të furnizuar aleatët, të cilët ia kanë dhënë ndërkohë Kievit rezervat e tyre .

(Kosova Sot Online)