Vuçiq akuzon fuqitë perëndimore për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

  • A.P /
  • 28 January 2024 - 11:12
Vuçiq akuzon fuqitë perëndimore për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, akuzoi fuqitë perëndimore për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe opozitën e mediat pro opozitës në Serbi se janë në shërbim të këtyre fuqive, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gjatë një veprimtarie në Beograd, ai tha se është duke menduar se “si të fillojnë hetime për armatosjen e të ashtuquajturës Forca e Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë armatosje, në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe si guxuan ta bëjnë atë … Po mendoj si të mos e sjell vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare”, tha ai.

 Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë”, tha Departamentit të Shtetit, sipas të cilit shitja nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Presidenti serb i cili e kishte cilësuar njoftimin “një zhgënjim të madh për Serbinë”, sulmoi mediat pro opozitare dhe opozitën në Serbi se “nuk duan t’ia dinë çfarë po i bëjnë të huajt dhe shqiptarët Serbisë”.

“Juve ju intereson se si ta ndëshkoni Serbinë, sepse disa serbë deshën t’i mbronin vatrat e tyre”, tha presidenti serb i pyetur nga gazetarët për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

(Kosova Sot Online)