A u arrestua ish-zyrtari i MPB-së së Kosovës Drilon Bërbati në Serbi?

  • A.P /
  • 25 January 2024 - 16:32
A u arrestua ish-zyrtari i MPB-së së Kosovës Drilon Bërbati në Serbi?

Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar së në kufi me Kroacinë ka arrestuar një të dyshuar me inicialet D.B të moshës 34 vjeç pasi në makinën e tij dyshohet se janë gjetur rreth 18 kilogram substancë narkotike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas raportimeve në media, është bërë e ditur se bëhet fjalë për ish-zyrtarin e MPB-së së Kosovës, Drilon Bërbati, i cili gjatë vitit të kaluar ishte arrestuar nga shteti i Kosovës nën dyshimet për falsikim dokumentesh.

Lidhur me këtë rast, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kanë bërë të ditur për Express se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe s’ka arritur që ta konfirmojë zyrtarisht arrestimin e Drilon Berbatit.

MPJ ka konfirmuar se përmes ambasadorit Jashari në Beograd kanë dërguar kërkesë nga Qeveria e Serbisë që të konfirmojnë arrestimin eventual dhe të ofrojnë sqarimet për arsyet e arrestimit dhe për vendin ku po mbahet.  

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk është informuar dhe as nuk ka arritur ende të konfirmojë zyrtarisht arrestimin sipas raportimeve, të cilave i referoheni.Si edhe në rastet e mëhershme, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet Ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Nga Minsitria e Jashtme thonë se do ta mbajën të informuar opinionin me të rejat për rastin që mund të jenë me interes për mediat dhe për publikun.

(Kosova Sot Online)