Murati del me njoftim për një marrëveshje 25 milionë euroshe

  • A.P /
  • 25 January 2024 - 17:26
Murati del me njoftim për një marrëveshje 25 milionë euroshe

Për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës të banimit social, janë destinuar 25 milionë euro nga një marrëveshje e nënshkruar sot mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe guvernatorit të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), Carlo Monticelli, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cenueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.

Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale.

Në ceremoninë e nënshkrimit, Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cenueshme”.

Ndërsa, Guvernatori Monticelli deklaroi se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.

“Të dyja palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurt”, u tha në komunikatë.

(Kosova Sot Online)