Reagon Bislimi: Çdo trysni ndaj Bankës Qendrore lidhur me dinarin serb, është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni

  • S.A /
  • 27 January 2024 - 07:56
 Reagon Bislimi: Çdo trysni ndaj Bankës Qendrore lidhur me dinarin serb, është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha të premten se Banka Qendrore është autoriteti i vetëm që zbaton politikat monetare në vend dhe çdo trysni ndaj vendimeve të kësaj banke paraqet ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Do të thotë në qoftë se ndërmjetësuesi del e thotë nuk ka koordinim, rregullatori nuk e ka institucion superior zotin Lajçak, rrjedhimisht Banka Qendrore as në hierarki nuk duhet të koordinohet me persona jashtë tyre sepse kjo do të ishte manifestim i varësisë së tyre. Banka Qendrore e ka shumë të qartë misionin, zbatim i politikës monetare”, tha Bislimi.

Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane të parlamentit të Kosovës, duke komentuar debatet që nxiti rregullorja e Bankës Qendrore që pritet të hyjë në fuqi me një shkurt, sipas së cilës euroja do të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që edhe ndërmjetësuesi ta kuptoj që Banka Qendrore nuk është negociuar në Bruksel, neni 11 i Kushtetutës nuk është negociu në Bruksel, pavarësia e bankës nuk është negociu rrjedhimisht nuk duhet të preket. Çdo kush që e takon Bankën Qendrore edhe i thotë pse e keni marrë këtë vendim, qysh doni me zbatu, është duke ndërhy në pavarësinë e këtij institucioni. Mendoj se të gjithë ne bashkërisht duhet ta mbrojmë pavarësinë e Bankës Qendrore”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se vendimi është një përpjekje për të shkatërruar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për dëbimin e serbëve nga Kosova. Por, autoritetet në Kosovë thanë se me rregulloren e re do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapësira e madhe për keqpërdorime nё emër tё mbështetjes.

Vendimi i Bankës Qendrore ishte pjesë e diskutimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ambasadorëve të vendeve të Quintit. Në një komunikatë të lëshuar nga qeveria e Koosovës citohet kryeministri Kurti të ketë thënë “rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”.

Njohës të fushës së ekonomisë në Kosovë e vlerësojnë vendimin plotësisht të drejtë, por këmbëngulin që autoritetet e Kosovës të bashkërendohen në tërësi me Bashkimin Evropian për zbatimin e tij, meqë sipas tyre një marrëveshje e drejtpërdrejtë me autoritetet serbe për këtë çështje është vështirë e arritshme.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë përfshirë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh – zbatimi i të cilave vazhdon të jetë një proces sfidues.

Bislimi tha se ka një qasje të pa ekuilibruar të Bashkimit Evropian që po e dëmton Kosovën.

“Dialogu me integrimin evropian është lidhur në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Dialogu është pjesa kryesore në kapitujt e marrëveshjes dhe rrjedhimisht progresi ka qenë i kushtëzuar me këtë. Ajo që ne kemi thënë është që trajtimi i lidhshmërisë mes progresit në dialog dhe integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i njëtrajtshëm si rreth Kosovës, ashtu edhe Serbisë”, tha zoti Bislimi.

Të dyja palët po përballen me trysni për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve që mbetët edhe kushti kryesorë për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane.

(Kosova Sot Online )