MPB dënon ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit të cilit iu dogj vetura

  • A.P /
  • 28 January 2024 - 16:16
MPB dënon ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit të cilit iu dogj vetura

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin ndaj kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, Gorski Guriq, të cilit iu dogj vetura, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

MPB përmes një komunikate për media bëri të ditur se për rastin u njoftuan nga Policia e Kosovës, nga e cila është kërkuar “angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen e kryerësve para drejtësisë”.

“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër sulmin ndaj Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, z. Gorski Guriç. Nga Policia e Kosovës jemi njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur vetura e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Leposaviqit, z. Gorski Guriç”, thuhet në reagim.

MPB thotë se “ky sulm ndaj z. Guriç dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serb që janë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serb që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës sonë. Sulmet e tilla të Serbisë që targetojnë qytetarët serb që angazhohen në institucionet tona, synojnë që të krijojnë pasiguri tek qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet tona”, thuhet në reagim.

MPB thotë në fund se “institucionet tona do të vazhdojnë të jenë të hapura për angazhim dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.

(Kosova Sot Online)