Berisha: Edi Rama vendosi në kontroll të plotë drejtësinë

  • A.P /
  • 28 January 2024 - 17:00
Berisha: Edi Rama vendosi në kontroll të plotë drejtësinë

Në nisje të fjalimit të tij në tubimin qytetar tek ‘rruga e Shpresës’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi Edi Ramën, pasi sipas tij, ka vendosur nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Sipas Berishës, për të arritur këtë gjë, Edi Rama ka pasur ndihmën e superspekulantit të planetit, monstrës Xhorxh Soros.

Fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme për sakrificën tuaj.
Por e vërteta mbrohet vetëm me sakrifica.

Dhe ju në këtë rrugë po mbroni të vërtetat më të mëdha të njeriut, të qytetarit, të atdhetarit, po mbroni të vërtetat më të mëdha të shoqërisë, të kombit dhe vendit tonë.

Në rrafshin e mendimit, diktaturat janë universe mashtrimi, shoqëritë e lira, demokracitë janë universe të të vërtetave.
Ndaj dhe këtu në rrugën tuaj, në Rrugën e Shpresës, në rrugën e fitores, po përballen dy universe sot.

Universi i lirisë, i njerëzve të lirë, i njerëzve me ideale fisnike, i njerëzve të gatshëm për të sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, i njerëzve që mbrojnë interesin kombëtar, interesin e vendit të tyre, i njerëzve që besojnë dhe mbrojnë vlerat themelore të një shoqërie të lirë.

Përballen këtu me universin e mashtrimit, universin e krimit, universin e një diktature që bazohet e tëra në vjedhjen, krimin, drogën, mashtrimin.

Çdo ditë, çdo natë që vini është një sakrificë për ju, por është një sakrificë që vendoset në themelet e pluralizmit të dytë shqiptar, pluralizmit, i cili ekzistonte, të cilën e solli PD, demokratët shqiptarë në vitin 1990.

Por që e vërteta është se Edi Rama arriti të zëvendësojë thelbin e këtij sistemi me narkoshtetin, me regjimin e bandave, krimit, vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve.

Në këtë arritje, Edi Rama së pari ia doli që në Shqipëri të vendosë një raport shkatërrimtar për lirinë, për demokracinë, për dinjitetin e shqiptarëve, raportin e shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.

Të dashur miq, pa votën e lirë nuk ka të ardhme, pa votën e lirë nuk ka dinjitet, pa votën e lirë nuk ka prosperitet, pa votën e lirë nuk ka zhvillim.

Edi Rama, pas kontrollit të plotë të votës së lirë, vendosi në kontroll të plotë, me ndihmën e superspekulantit të planetit, monstrës Xhorxh Soros, sistemin e drejtësisë.

Sot Shqipëria e Edi Ramës ka një drejtësi po aq të kontrolluar dhe shumë herë më të korruptuar se sa drejtësia që kishte Enver Hoxha.

Them të korruptuar në para, se politikisht edhe ajo dhe kjo, janë dy drejtësitë më të korruptuara që ka pasur Europa ndonjëherë.

De facto, Edi Rama vendosi nën kontroll drejtësinë dhe pothuajse e asgjësoi atë për qytetarët shqiptarë.

Për një vendim në gjykata, sot një qytetar i duhet të presë 15-20 vite.

Për një dhunim të drejte, në kërkim të të drejtës së tij, sot një qytetar duhet të paguajë ryshfet qimet e kokës për prokurorët dhe gjyqtarët e vetuar nga partia, që nuk kanë ligj e as moral.

Sot shqiptarët janë kombi i vetëm që kanë humbur në mënyrë të tmerrshme të drejtën e një procesi ligjor të drejtë.

Për të sjellë një çështje në gjykim, duhet të paguajnë qimet e kokës ryshfet.

Për të fituar të drejtën, duhet të paguajnë tre herë më shumë.

(Kosova Sot Online)