Kurti uron Xhaferin: Bashkërendimi për projekte të përbashkëta të jenë shenjues të dy qeverive tona

  • A.P /
  • 28 January 2024 - 18:01
Kurti uron Xhaferin: Bashkërendimi për projekte të përbashkëta të jenë shenjues të dy qeverive tona

Suksese kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i ka uruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Ai  ka uruar që “miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta” të jenë “shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”.

“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, shkroi ai.

Kurti shprehu besimin që Maqedonia e Veriut do të jetë partnere e Kosovës, ndërsa tha se për disa synime që u përmendën sot, është i sigurt që do të bashkëpunojë me Xhaferin. Ndërkaq, ka zgjedhur që në të njëjtin postim ta përgëzojë edhe kryeministrin e deritashë, Dimitar Kovaçevskin.


“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z.Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, shkroi Kurti.

(Kosova Sot Online)