Xhaferi: Detyrë parësore e kësaj Qeverie është organizimi i zgjedhjeve të lira

  • A.P /
  • 29 January 2024 - 23:00
Xhaferi: Detyrë parësore e kësaj Qeverie është organizimi i zgjedhjeve të lira

Nga sot Talat Xhaferi është zyrtarisht kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Dimitar Kovaçevski i ka dorëzuar detyrën ndërsa ka kërkuar mbështetje për qeverinë e përkohëshme të Xhaferit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në daljen e parë për mediat, gjatë marrjes së detyrës, Talat Xhaferi u zotua se Kushtetuta dhe Ligji do të jenë baza e çdo vendimi të kësaj qeverie. Më tej kryeministri shqiptar u shpreh se vizioni dhe puna e kësaj qeverie është e qartë drejt rrugëtimit europian.
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski këtë të hënë.

Pas marrjes së detyrës së re, Xhaferi u zotua se kabineti I tij ka prioritet ruajtjen e aleancës me SHBA, BE dhe NATO.

Ai tha se kabineti teknik do të vazhdojë punën për realizimin e programit të Qeverisë së deritanishme të Kovaçevskit.


Nuk ka dyshim se detyrë parësore e kësaj Qeverie është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, demokratike në një procedurë të hapur dhe ligjore të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim me Kuvendin. Aleanca me SHBA, BE dhe NATO, mbetet prioritet i qeverisë së RMV, lëkundja mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta. Të gjitha sfidave dhe rrugëve deri tani u jam qasur me planifikim të mirë dhe qëllim të qartë. Ashtu është edhe tani, me qëllim të qartë për Republikën e Maqedonisë së Veriut Evropiane, ka deklaruar ai.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj.

Pjesë e Qeverisë teknike është edhe partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, e cila në kabinetin e Xhaferit do të drejtojë Ministrin e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe ka edhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta.

Pavarësisht se është pjesë e Qeverisë, VMRO DPMNE-ja të dielën, më 28 janar, nuk votoi për ekzekutivin teknik.

(Kosova Sot Online)