Vetëvendosje e arsyeton ngecjen sa i përket luftimit të korrupsionit

  • A.P /
  • 30 January 2024 - 18:25
Vetëvendosje e arsyeton ngecjen sa i përket luftimit të korrupsionit

Raportin për indeksin e perceptimit të korrupsionit, e ka publikuar sot Trasnparanecy International, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas këtij raporti, Kosova dhe Serbia janë dy vendet e vetme në rajon që s’kanë shënuar progres gjatë vitit 2023, ndërkohë që përmirësim kanë pasur Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një reagim në profilin e saj zyrtar, duke u munduar ta arsyetojnë ngecjen sa i përket luftimit të korrupsionit.

Për këtë, Vetëvendosjes i është dashur t’i rikthehet argumentit të stërpërdorur, fitores së 14 shkurtit 2021, si një moment kur “është prerë e kaluara e mendësisë dhe veprimit korruptiv në qeverisje”.

“14 shkurti 2021 është momenti i pikëprerjes së qartë me të kaluarën e mendësisë dhe veprimit korruptiv në qeverisje. Qeverisja e re ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të udhëhiqet pa korrupsion dhe ky fenomen mund të luftohet”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj, Vetëvendosje ka shtuar si dy argumente të tjera, duke thënë se Qeveria Kurti ka iniciuar dy procese për luftën e pakompromis të krimit dhe korrupsionit si Byroja për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Vettingut, ndonëse asnjëra ende s’janë finalizuar.

Në fund, partia në pushtet ka provuar që argumentojë me renditjen e Kosovës në rang listën e Transparency International, duke thënë se ka përmirësime për 21 vende, ndonëse lëvizja është vetëm 5 pikë në gjithë këto vite të qeverisjes. Në vitin 2020 ka pasur 36 pikë, 2021 ka shkuar në 39, 2022 plus dy pikë, dhe vitin 2023 ka stagnuar tek 41 pikët.

Lëvizja Vetëvendosje ndonëse i ka ftuar kosovarët që të futen pak edhe në imagjinatë për atë se ku do të jetë Kosova si shtet kur të përfundohet Vettingu dhe Byroja, ka provuar që t’i japë drejtim edhe imagjinatës së qytetarëve duke thënë se Kosova do të jetë “shumë më mirë”.

“Dy procese tejet të rëndësishme janë inciuar nga Qeveria Kurti në drejtim të luftimit të pakompromist të krimit dhe korrupsionit, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Vettingu. Me këto procese sistemi i drejtësisë do të rilegjitimohej e kështu krimi dhe korrupsioni do të luftohej edhe më shumë, ashtu siç me të drejtë kërkojmë dhe ashtu siç me të drejtë presim. Në këto 3 vite të qeverisjes Kosova ka avansuar për 21 vende në luftën ndaj këtyre fenomeneve të këqija, por imagjinoni ku do të jemi si shtet pas aktivizimit të Byrosë dhe procesit të Vettingut. Shumë më mirë”, thuhet në reagim.

(Kosova Sot Online)