Osmani: Nëse partitë duan mund ta caktoj datën për zgjedhje të parakohshme

  • A.P /
  • 31 January 2024 - 14:00
Osmani: Nëse partitë duan mund ta caktoj datën për zgjedhje të parakohshme

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shprehur gatishmërinë që të diskutojë me partitë politike lidhur me këtë, në qoftë se ato dakordohen për këtë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani tregoi para gazetarëve rrugët që duhet të ndiqen për zgjedhje të reja para kohe.

“Ju e dini që zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. Në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t’i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës për një datë të mëhershme”, tha Osmani.

“Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, atëherë në momentin që ata dakordohen dhe e shpërndajnë Kuvendin, si presidente, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 – 45 ditëve. Tani nuk ndërhyj në proceset e tilla. Megjithatë, në qoftë se ka kërkesa nga partitë politike, dhe këtu po flas edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita që t’i mbledhi të gjithë në mënyrë që të diskutohet një datë më e re, natyrisht që këtë e bëj, mirëpo nuk është asnjëherë punë e presidentes që të imponoj datë më të hershme sesa ajo që është e paraparë me Kushtetutë në proceset e rregullta”, shtoi ajo.

Presidentja tha se “mocionet e mosbesimit, dortëheqjet e qeverive dhe shpërndarjet e kuvendit” janë “tri metoda që mund të dërgojnë deri te zgjedhjet më të reja”. “Por asnjëra prej tyre nuk inicohen e as nuk bëhen të mundura nga presidentja e vendit, por nga partitë të cilat janë qoftë në qeveri, qoftë në opozitë”, përsëriti ajo. “Në qoftë se nuk ndodhin asnjëra nga këto tria, siç e përmenda, data e rregullt e zgjedhjeve është fillimi i vitit të ardhshëm”, theksoi Osmani.


(Kosova Sot Online)