Stoltenberg: NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori

  • A.P /
  • 31 January 2024 - 21:41
Stoltenberg: NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur në Fondacionin “Heritage”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Aty, gjatë bisedës, ka folur rreth nevojës për shpenzime të shtuara dhe të qëndrueshme të mbrojtjes në të gjithë aleancën e NATO-s. Mes tjerash, ka përmendur edhe Kosovën.

“Kur jemi bashkë, jemi më të fortë dhe më të sigurt, të gjithë ne. Dhe kjo vlen për Evropën, por vlen edhe për Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, Amerikën e Veriut. NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori për dy arsye, njëra është se ne kemi qenë në gjendje të ndryshojmë kur bota ndryshon. Për 40 vjet ne e frenuam Bashkimin Sovjetik, pastaj befas Bashkimi Sovjetik nuk ishte më, dhe njerëzit thanë se NATO-ja duhet të dalë jashtë zonës, dhe ne dolëm jashtë zonës dhe ndihmuam për t’i dhënë fund dy luftërave brutale etnike në Ballkan: në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në Serbi apo Kosovë”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se pas vitit 2014, NATO-ja është përshtatur sërish, me më shumë fokus në mbrojtjen kolektive në Evropë dhe kjo është arsyeja pse Aleanca veria-tlantike është një sukses.

“Ne kemi qenë në gjendje të pengojmë çdo kundërshtar dhe të bashkohemi rreth për të mbrojtur njëri-tjetrin. Sepse e kuptuam që jemi më të sigurt kur qëndrojmë bashkë. Pra, ky është çelësi i vetëm, duke kuptuar se ne jemi të ndryshëm, ne jemi ende në gjendje të mbrojmë njëri-tjetrin, jo të provokojmë një luftë, por të parandalojmë luftën dhe të ruajmë paqen, dhe NATO-ja e ka bërë këtë me sukses për 75 vjet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për sa kohë që ne i përshtatemi një bote në ndryshim dhe për sa kohë që jemi të bashkuar, pavarësisht dallimeve tona”, u shpreh shefi i NATO-s.

(Kosova Sot Online)