Suspendohet një zyrtar policor, kjo është arsyeja

  • A.P /
  • 31 January 2024 - 21:54
Suspendohet një zyrtar policor, kjo është arsyeja

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës njoftojnë se kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.

“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor  të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”. Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor  të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim.

“Zyrtarët e IPK-së në kuadrë të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon njoftimi i tyre.

(Kosova Sot Online)