DASH bën thirrje të shtyhet vendimi për dinarin: Ishte pa konsultim adekuat

  • A.P /
  • 01 February 2024 - 20:30
DASH bën thirrje të shtyhet vendimi për dinarin: Ishte pa konsultim adekuat

Me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

(Kosova Sot Online)