Petkoviq: Vuçiq do të ketë bisedime të shumta në mënyrë që dikush të ndalojë këtë sjellje të Kurtit

  • A.P /
  • 01 February 2024 - 23:00
Petkoviq: Vuçiq do të ketë bisedime të shumta në mënyrë që dikush të ndalojë këtë sjellje të Kurtit

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë pas takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në lidhur me shfuqizimin e përdorimit të dinarëve në Kosovë, se “të gjithë në takim e dinin se fajtori kryesor ishte Albin Kurti”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".


Kabineti i presidentit serb Aleksandër Vuçiq ka njoftuar sonte se nuk do të ketë njoftim për takimin që ai ka zhvilluar me përfaqësuesit e vendeve të “pesëshes së madhe” dhe të Bashkimit Evropian, duke thënë se çdo fjalë formale do të ishte e tepërt.

Petkoviq u tha gazetarëve pas takimit se Vuçiq nesër do të ketë bisedime të shumta në mënyrë që dikush “të ndalojë përfundimisht këtë sjellje të Albin Kurtit”, duke shtuar se serbët në Kosovë janë “absolutisht të kërcënuar nga vendimi për anulimin e dinarit”, shkruan danas.

“Do të marrim vendime me durim, mençuri dhe përgjegjësi, me qëllim afatgjatë. Në një ose dy ditë në vijim, presidenti Vuçiq do t’i drejtohet publikut me të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me këtë temë, por edhe qëndrimin e serbëve në Kosovë, të cilët janë absolutisht të kërcënuar nga ky vendim për heqjen e dinarit”, tha ai.

Petkoviq vlerësoi se ai “kurrë nuk ka marrë pjesë në një bisedë më të vështirë”, por se Vuçiq “mbrojti shumë fuqishëm interesat e popullit serb në Kosovë, mbi të gjitha të drejtën e tyre për mbijetesë dhe jetë”.

“Serbët kanë të drejtë në Kosovë të jetojnë, të mbijetojnë, të kenë të ardhmen e tyre, të përdorin transaksionet e pagesave dhe të funksionojnë institucionet tona. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo,” tha ai.

(Kosova Sot Online)