Kurti dhe Murati vizitojnë ASK-në, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

  • E.K /
  • 02 February 2024 - 14:14
Kurti dhe Murati vizitojnë ASK-në, flasin për regjistrimin e popullsisë që fillon në prill

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar sot Agjencinë e Statistikave të Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

ZKM ka njoftuar se Kurti është njoftuar me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

Njoftimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku bashkëbiseduan me ushtruesin e detyrës Avni Kastrati dhe ekipin e drejtorëve të këtij institucioni.

Pas vizitës së fundit në ASK në muajin dhjetor, kryeministri pati mundësinë të njoftohej e përditësohej me punën e cila po zhvillohet në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili nis në muajin prill.

Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë.

Përkushtim i lartë, energji dhe vullnet nevojiten për ta planifikuar e zhvilluar me sukses regjistrimin e popullsisë, në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qasshme për të gjithë qytetarët tanë, nga të gjitha komunitetet e në secilin lokalitet

Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme.