Osmani: Do të sigurohem të zbulohet kush e ka bërë një ndërhyrje te biografia e Jakup Krasnqit

  • A.P /
  • 05 February 2024 - 16:24
Osmani: Do të sigurohem të zbulohet kush e ka bërë një ndërhyrje te biografia e Jakup Krasnqit

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se janë duke vazhduar hetimet për gjetjen e personit që ka ndërhyrë në webfaqen e Presidencës, duke e përshkruar Jakup Krasniqin si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani tha se do të ketë takime me institucionet e sigurisë, ndërsa e cilësoi të papranushme ndërhyrjen.

“Unë do të kem takime me institucionet e sigurisë sa i përket veprimeve të policisë, kurse hetimet sa i përket kompanive që kanë qenë më herët të angazhuara për menaxhim dhe janë tani e po vazhdojnë. Takimet janë duke vazhduar derisa të gjendet personi që e ka bërë atë ndërhyrje të papranueshme”, u shpreh Osmani.

“Do të sigurohem që patjetër të zbulohet kush e ka bërë një ndërhyrje të tillë”, shtoi presidentja.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani ka reaguar dje pas raportimit se ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi në webfaqen e Presidencës paraqitej si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kupina tha se Osmani dhe stafi i saj politik s’ishin të njoftuar e as të konsultuar lidhur me “ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”. Tash, tha se po e hetojnë këtë ndërhyrje dhe se presidentja ka kërkuar të merren masa diciplinore për personat përgjegjës, por edhe hetim nga Policia e Kosovës.

“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”, shkroi Kupina në Facebook.

“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”, thuhet në postimin e tij.

(Kosova Sot Online)