Vuçiq: Perëndimi dëshiron ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjes me Kosovën

  • A.P /
  • 06 February 2024 - 16:05
Vuçiq: Perëndimi dëshiron ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjes me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka dërguar 15 letra për vende me ndikim të BE-së, SHBA-së, ashtu si në Kinë e Rusi për situatën me Kosovën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vuçiq tha në TV Happy se u ka thënë këtyre vendeve se Serbia do paqe dhe jo luftë.

“Ju gjithmonë mendoni se njerëzit e dinë, na takon ne t’i njohim ata, të përpiqemi të themi se ne duam paqe dhe stabilitet, se ne nuk duam luftëra, se ne nuk i bëmë ato”, tha ai.

Vuçiq tha se elitat politike të vendeve perëndimore do të përpiqen ta përshpejtojnë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Sipas tij, elitat politike në Europë “po nguten”, pasi “vlerësohet se partia e gjelbër dhe e majta do të marrin më pak vota se sa kanë pasur deri më tani”.

Vuçiq po ashtu theksoi se Perëndimi po nxiton ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse “nuk janë plotësisht të sigurt se Ukraina mund ta mposht Rusinë”.

“Meqë nuk janë të sigurt, ata e dinë se mund të ndodhë që dikush të dalë me një rrëfim për precedentët që janë arritur në Kosovë. Prandaj duhet futur Serbinë në atë hinkë dhe ta përfundojë atë histori”, tha Vuçiq. 

(Kosova Sot Online)