Hamasi me përgjigje përgjithësisht pozitive ndaj propozimit për armëpushim

  • A.P /
  • 06 February 2024 - 20:20
Hamasi me përgjigje përgjithësisht pozitive ndaj propozimit për armëpushim

Kryeministri i Katarit tha të martën se reagimi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – lidhur me planin e fundit për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve “përgjithësisht ishte pozitiv”.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili po qëndron në Lindjen e Mesme.

Katari, që për një kohë të gjatë ka ndërmjetësuar me Hamasin, ka punuar me SHBA-në dhe Egjiptin për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do të përfshinte një ndalesë të zgjatur të luftimeve dhe lirimin e mbi 100 pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, që kur grupi radikal palestinez kreu sulmin fillestar më 7 tetor në Izrael, sulm që nxiti luftën.

Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani nuk dha më shumë detaje lidhur me reagimin e Hamasit, por tha se grupi radikal palestinez “kishte komente”. Blinken konfirmoi se zyrtarët kanë pranuar përgjigjen e Hamasit dhe tha se ai do t’i njoftojë liderët e Izraelit kur ta vizitojë këtë shtet të mërkurën.

(Kosova Sot Online)