Abdixhiku uron nënkryetaren e re të kryeqytetit: Jehona është thjesht një vlerë për Prishtinën

  • S.A /
  • 07 February 2024 - 12:05
Abdixhiku uron nënkryetaren e re të kryeqytetit: Jehona është thjesht një vlerë për Prishtinën

Pas shkarkimit të Donjeta Sahatçiut nga pozita e nënkryetares së komunës së Prishtinës nga kryetari Përparim Rama, është emëruar Jehona Lushaku-Sadriu nga radhët e LDK-së, transmeton "Kosova Sot Online ".

Këtë të fundit sot e ka uruar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili tha se ajo “është një vlerë për Prishtinën”.

“Jehonës i urova detyrën e re si nënkryetare në Kryeqytet. Duke e njohur nga afër, si një grua të fortë, me plot vullnet e përkushtim në secilin angazhim që ajo merr, Jehona thjesht është një vlerë për Prishtinën dhe gjithë ne! Ju priftë e mbara!”, ka shkruar sot Abdixhiku.

Rama shkarkoi Sahatçiun me arsyen se ka pasë “ngecje në fushën e digjitalizimit”, detyrë me të cilën ishte ngarkuar Sahatçiu si nënkryetare dhe si u.d e drejtores së Arsimit.

“Kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësojë e modernizojë institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, kishte njoftuar Përparim Rama.

Sidoqoftë, pasardhësen e saj e ka uruar Sahatçiu me bindjen që gratë duhet të mbështesin gratë.

“Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare. Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër! Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon..”, kishte shkruar Sahatçiu pas shkarkimit.

Por, Sahatçiu kishte pasë një reagim më të ashpër ndaj kryetarit Përparim Rama pas vendimit të tij për shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike nga radhët e PDK-së, Ilirik Musliu.

Ajo tha se kjo “revanshi” i Ramës e ka emrin Badoc.

“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revansh politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale. Ky shkarkim, që i madh e i vogël sot në Prishtinë e di se nuk ka fare të bëjë me mbeturina e me Ilirikun, vjen pasi si PDK ritheksuam publikisht qëndrimin tonë politik që nuk do të mbështesim me asnjë kusht propozimin e tij për këmbim pronash me epiqendër zonën e Badovcit dhe çdo propozim tjetër që dëmton interesin publik. Më 2 shkurt 2022 me Ilirikun iu bashkuam qeverisjes në Prishtinë. Më 2 shkurt 2024, Përparim Rama filloi revanshin publik”, kishte shkruar ish-nënkryetarja Sahatçiu.