Ministri gjerman sot në Beograd: Gjermania nuk do të tolerojë më

  • S.A /
  • 07 February 2024 - 12:57
Ministri gjerman sot në Beograd: Gjermania nuk do të tolerojë më

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius po e viziton sot Beogradin dhe takimi me lidershipin serb duket se nuk do të jetë aspak i këndshëm për Serbinë, pasi aktualisht politikani i popullarizuar gjerman sjell mesazhe shumë të qarta nga zyra e kancelarit Olaf Scholz. Sipas kolegut të tij partiak, deputetit dhe kreut të Komisionit të Bundestagut për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, Josip Juratoviq, Gjermania do të bëjë gjithçka për paqen dhe stabilitetin dhe nuk do të tolerojë më, përcjell Gazeta Express.

Pasi vizitoi Prishtinën dhe Sarajevën në fillim të kësaj jave, ministri gjerman i Mbrojtjes sot mbërrin në Beograd. Vizita e tij interpretohet si një mesazh i qartë i kancelarit gjerman Olaf Scholz se situata duhet të qetësohet dhe marrëveshja duhet të zbatohet. Deputeti i Bundestagut dhe kolegu partiak i Boris Pistorius, Josip Juratoviq në një intervistë për gazetën serbe, Nova tha se qeveria aktuale e Gjermanisë nuk do të tolerojë. 

“Vetë vizita e Pistorius është në çdo rast një sinjal se Gjermania e merr seriozisht hyrjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Me këtë, jo vetëm Gjermania, por edhe BE-ja në tërësi, do të vërë në lojë të gjitha përpjekjet e saj që ka bërë deri më tani”, tha Juratoviq.

E dyta është çështja e paqes dhe sigurisë në rajon, pohon Juratoviq, i cili është i bindur se një nga temat do të jenë edhe zgjedhjet e fundit në Serbi. 

“Duke marrë parasysh që ai po vjen në tri vende, mendoj se ai dëshiron të dërgojë një sinjal se Gjermania do të bëjë gjithçka për paqen dhe stabilitetin. Ju mund ta shihni vetë se situata është mjaft e tensionuar. Mendoj se zgjedhjet e kaluara sigurisht që do të jenë temë. Të gjithë e dimë se situata rreth zgjedhjeve dhe zotit Vuçiq është shumë e tensionuar”, tha Juratoviq.

I pyetur nëse mendon se Pistorius do ta përsërisë atë që ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Beograd – se njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, Juratoviq tha:

“Për rrugën e mëtejshme të Serbisë drejt BE-së, edhe ajo çështje duhet të zgjidhet. Ajo që ishte rënë dakord të përmbushej. Besoj se do të jetë edhe një temë dhe një mesazh i qartë. Me këtë Qeveri, ndryshe nga ajo e fundit e kryesuar nga Merkel, është e qartë se ne nuk do të tolerojmë më dhe nuk do të shikojmë në gishta”.

Sipas sondazheve të opinionit publik, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius është aktualisht politikani më popullor në Gjermani. Ai është anëtar i Partisë Social Demokrate të kancelarit Olaf Scholz. Kur u emërua në postin e Ministrit të Mbrojtjes, Scholz tha për të: “Jam shumë i kënaqur që kam si Ministër të Mbrojtjes Boris Pistorius, një politikan i shquar nga vendi ynë. Pistorius është një politikan jashtëzakonisht me përvojë që ka përvojë administrative, ka vite që merret me politikën e sigurisë dhe me kompetencë, këmbëngulje dhe zemrën e tij të madhe, ai është personi i duhur për ta udhëhequr Bundeswehr-in përmes këtij ndryshimi epokal”, pati deklaruar Scholz.

Në Kosovë, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Pistorius kërkoi shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për rikthim në dialog.

“Ne, marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë, dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistorius. Ai shtoi se “Kosova duhet të kontribuojë në shtensionim e situatës”, por theksoi se “edhe roli i Serbisë është një rol i veçantë”.

(Kosova Sot Online )