Lista Serbe: Kurti po i dëbon serbët, KFOR-i dhe EULEX-i të ngrihen për mbrojtjen e popullit serb

  • E.K /
  • 08 February 2024 - 09:35
Lista Serbe: Kurti po i dëbon serbët, KFOR-i dhe EULEX-i të ngrihen për mbrojtjen e popullit serb

Lista Serbe përsëriti sërish se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk po heq dorë nga plani për të ushtruar presion ndaj popullit serb, me qëllim të dëbimit të tyre”, në një reagim të mbrëmshëm, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në njoftim thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i, si formacione ligjore, duhet të ngrihen për mbrojtjen e popullit serb.

“Përkundër apeleve të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe dënimit të qartë të vendimit për ndalimin e dinarëve dhe bastisjeve në institucionet serbe në Kosovë, policët e Kurtit si banditë hynë në objektin e Postës së Serbisë në fshatin Gorazhdec në komunën e Pejës, dhe kanë ngacmuar dhe frikësuar punonjësit e postës, por dhe përfaqësues të mediave”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

“KFOR-i dhe EULEX-i, si formacione ligjore, duhet të ngrihen për mbrojtjen e popullit serb, sepse obligimi i tyre, në bazë të mandatit të tyre, është të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, kështu që në vend të reklamave për përkushtimin tuaj për paqen dhe sigurinë e qytetarëve, le të ndjekin veprime konkrete që do të ndalonin keqtrajtimet dhe dhunën institucionale ndaj popullit tonë”, u tha në reagim.

(Kosova Sot Online)