Malishevë: Arrestohet i dyshuari për vjedhje, ishte në kërkim edhe për 18 raste tjera

  • E.K /
  • 08 February 2024 - 14:54
 Malishevë: Arrestohet i dyshuari për vjedhje, ishte në kërkim edhe për 18 raste tjera

Është arrestuar një person i dyshuar për 19 raste të vjedhjeve të kryera në Malishevë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai ka kryer vjedhje edhe më 25 dhjetor të vitit të kaluar, kur kishte vjedhur para dhe gjëra tjera në një veturë të parkuar.

Ai ka përdorur identitete dhe dokumente të rreme, të cilat janë sekuestruar kur është kapur nga Policia.

Njoftimi i plotë:

Me datën 25.12.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person/a të panjohur i kishin thyer automjetin e tij në parkingun e një marketi në Malishevë, dhe i kishin vjedhur para dhe gjësende të ndryshme.

Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Malishevë, pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, me datën 07.02.2024 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin J. K., i lindur në vitin 1984 shtetas i Republikës së Kosovës mbi dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale të raportuar. I njëjti gjithashtu ka qenë në kërkim policor si i dyshuar edhe për tetëmbëdhjetë raste të tjera të vjedhjeve të kryera në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Malishevë, dhe për t’i ikur kapjes nga policia ka përdorur identitete dhe dokumente të rreme të cilat i janë gjetur dhe sekuestruar në momentin e arrestimit.

Veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar.

(Kosova Sot Online)