Izraeli vazhdon sulmet në Gazë

  • A.P /
  • 08 February 2024 - 15:52
Izraeli vazhdon sulmet në Gazë

Izraeli kreu sulme ajrore në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, disa orë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu refuzoi propozimin e Hamasit për armëpushim dhe u zotua për të shtrirë ofensivën në qytetetin jugor të Gazës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Më shumë se tre persona mbetën të vrarë si pasojë e sulmeve.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur në Rafah, në kufi me Egjiptin, që është pikë kryesore për hyrjen e ndihmave humanitare. Egjipti ka paralajmëruar se ndërhyrjet tokësore në këtë qytet, ose zhvendosja masive përtej kufirit do të minonte traktatin e paqes me Izraelin, që zbatohet prej 4 dekadash.

Kryeministrit Netanjahu tha një ditë më parë se po bëheshin përgatitje për të zgjeruar ofensivën në Rafah, qytet ku janë zhvendosur mijëra njerëz, që janë larguar nga zona të tjera që kanë qenë objektiv i sulmeve izraelite.

Zoti Netanjahu refuzoi dje propozimin e Hamasit për armëpushim dhe tha se lufta do të vazhdonte derisa Izraeli të arrinte fitore të plotë në Gazë. Ai i bëri komentet ndërsa në Izrael qëndroi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Zoti Blinken mbylli të mërkurën vizitën në Lindjen e Mesme në një kohë që ndarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë ndoshta në nivelin më të keq që kur Izraeli nisi sulmin ndaj Hamasit në Gazë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tendosura gjatë muajve të fundit, por refuzimi publik i planit të armëpushimit, për të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se ka vlera, nënvizon ndarjen mes tyre.

Megjithatë, Sekretari Bliken dhe zyrtarë të tjerë shprehën besim se mund të arrihej përparim për synimet e tyre kyçe si përmirësimi i kushteve humanitare për civilët palestinezë, lirimi i pengjeve nga Hamasi dhe parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit në Gazë.


(Kosova Sot Online)