Ja kush po kërkon që të dëgjohet nga Qeveria e Kosovës

  • A.P /
  • 08 February 2024 - 17:41
Ja kush po kërkon që të dëgjohet nga Qeveria e Kosovës

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe pezullimi i veprimeve që e pengojnë punën e institucioneve serbe në vend, janë kërkesa që sektori civil serb në Kosovë i dërgoi të enjten në adresë të Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat u bënë pasi Banka Qendrore e Kosovës – me një rregullore të posaçme, por në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – përcaktoi që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke hequr nga përdorimi dinarin serb, por edhe pas mbylljes së disa komunave në jug të Ibrit, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme.

Për serbët në Kosovë, heqja e dinarit është shqetësuese, sepse shumica e tyre marrin të ardhura të ndryshme nga Serbia në dinarë.

Pesë organizata joqeveritare serbe, si dhe Radioja lokale e Gorazhdecit nga rajoni i Pejës thanë në një konferencë në Prishtinë, se autoritetet e Kosovës “shkelin në mënyrë flagrante lirinë e mediave dhe sulmojnë sektorin civil”.

Si shembull për këto pretendime, ata përmendën bastisjen e policisë së Kosovës në ambientet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë, me arsyetimin se aty ofrohen “shërbime të paligjshme mjekësore”.


Redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, shpalosi një sërë akuzash për sjelljen e policisë së Kosovës gjatë operacionit për mbylljen e komunës paralele të Pejës, e cila funksiononte në Gorazhdec sipas sistemit serb.

Të gjithë ata arritën në përfundimin se autoritetet e Kosovës po krijojnë një atmosferë që “inkurajon tensione ndëretnike”.

(Kosova Sot Online)