Haxhiu: Luftimi i terroristëve në Kosovë nuk i ka pëlqyer Bashkimit Evropian

  • A.P /
  • 08 February 2024 - 19:40
Haxhiu: Luftimi i terroristëve në Kosovë nuk i ka pëlqyer Bashkimit Evropian

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka reaguar shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), lidhur me deklaratën e tij se në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka pasur vetëm sanksione, e jo njohje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Haxhiut, luftimi i kontrabandistëve, terroristëve në Kosovë nuk i ka pëlqyer Bashkimit Evropian prandaj janë vendosur sanksione.

“Një deklaratë e Tahirit, më zgjoi vëmendjen i cili tha se ‘me ne ka pas njohje, me juve ka pasur sanksione’, ka pasur kjo për shkak se për herë të parë kontrabandistët, terroristët s’janë lejuar të veprojnë në mënyrën se si keni vepruar ju”.

“Kur Kosova, ka dëshmuar që nuk do të tolerohen më këta natyrisht që janë vendosur sanksione sepse dikujt nuk i paska pëlqyer, në këtë rast Bashkimit Evropian”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, para deputetëve i ka thënë Tahirit se për noterët mund ta ftojë atë në interpelancë për të diskutuar më gjerësisht lidhur me proceset që po bëhen në këtë drejtim.

“Për noterët flasim kur të duash Abelard, por s’besoj që të përshtatet të flasim për noterët, kjo pasi e dinë se çfarë ke bërë. Zakonisht, në temat ku je i përfshirë me të dy duart me keqpërdorime nuk ke dëshirë të flasësh, por meqë po e shprehe këtë dëshirë më fto në interpelancë”.

Sërish Tahiri, i reagoi ministres Haxhiu duke e konsideruar “si të çuditshme”, deklaratën e saj.

“Është e çuditshme ta dëgjosh një zyrtar të shtetit duke thënë se BE-ja na ka vendosur sanksione, sepse po vendosim rend dhe ligj. Unë s’po e kuptoj si mund të vendos BE-ja sanksione sepse ti po kërkon të bësh rend dhe ligj”.

“Në këtë Kuvend, vetëm për një person e dimë që koordinohet me Radojiçiç-in e ajo është shefja e grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje”, pohoi ai.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare u vlerësuan edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

(Kosova Sot Online)