Ambasadori i njohur: S’është në interes të Serbisë të fitojë Rusia në Ukrainë

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 15:40
Ambasadori i njohur: S’është në interes të Serbisë të fitojë Rusia në Ukrainë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson në një ligjëratë para studentëve serbë në Beograd foli për ndërtim partneriteti, ndërsa u shpreh se s’është i kënaqur me marrëdhëniet midis dy vendeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ferguson tha se partneriteti nuk do të thotë se “se do të biem dakord për të gjitha çështjet”,por shtoi se mendon se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që të dëgjojmë me vëmendje njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të kuptojmë pikëpamjet tona”.

Ai foli për pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar në kontekstin e sigurisë globale dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa i kushtoi vëmendje edhe përceptimit në Serbi për luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Ne mirëpresim dënimin e qartë të kësaj lufte të paligjshme nga Qeveria e Serbisë, si dhe ndihmën e rëndësishme financiare dhe teknike që i keni dërguar Ukrainës”, tha fillimisht ambasadori britanik, siç shkruan Danas.

“E di që shumë qytetarë të Serbisë kanë një mendim të lartë për Rusinë dhe mund ta kenë të vështirë të pajtohen dhe ta kuptojnë këtë luftë vëllazërore mes dy kombeve ortodokse. Megjithatë, jam plotësisht i bindur se nuk është në interesin e Serbisë që Rusia të ketë sukses në Ukrainë”, theksoi ai.

Për marrëdhëniet britaniko-serbe, ai tha se dëshironte të ishte “shumë i drejtpërdrejtë”.

“Nuk jam i kënaqur me gjerësinë dhe forcën e marrëdhënies sonë”, tha ndër tjerash ai.

(Kosova Sot Online)