Biserko: Vuçiq është nën presion veçanërisht për shkak të sulmit në Banjskë

  • A.P /
  • 11 February 2024 - 17:00
Biserko: Vuçiq është nën presion veçanërisht për shkak të sulmit në Banjskë

Parlamenti Evropian votoi një rezolutë që kërkon një hetim ndërkombëtar për parregullsitë gjatë zgjedhjeve të mbajtura dhjetorin e kaluar në Serbi, si dhe pezullimin e fondeve europiane, nëse vërtetohet se autoritetet ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin e votuesve. Për rezolutën e Parlamentit Europian për situatën në Serbi pas zgjedhjeve votuan 461 eurodeputetë, kundër ishin 53 dhe abstenuan 43, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një deklaratë për mediumin malazez “Antena M” tha se miratimi i rezolutës ishte e pritshme, për shkak të gjithçkaje që ndodhi gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi.

“Ajo rezolutë ishte e pritshme, u fol shumë. Duke qenë se BE-ja kritikoi mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në dhjetor në të gjitha nivelet, do të thoja se Gjermania u dallua në veçanti, por Parlamenti Europian pati një diskutim interesant dhe pritej një rezolutë e ashpër, ajo që thotë rezoluta është që zgjedhjet të përsëriten në Beograd, të formohet një komision për të hetuar të gjitha parregullsitë dhe natyrisht të kërkohen negociata mes qeverisë dhe opozitës, e cila do të ishte një mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë”, shpjegon Biserko.

Duke komentuar reagimin e Beogradit zyrtar, në radhë të parë kryeministres Ana Brnabiq, se rezoluta nuk është detyruese, Biserko pohon të kundërtën – se rezoluta është e detyrueshme edhe moralisht edhe politikisht.

“Është moralisht dhe politikisht kaq detyruese! Së dyti, të gjitha qeveritë, përveç asaj hungareze dhe ndoshta sllovake, mbështesin dhe ushtrojnë presion në këtë drejtim”, shton Biserko.

Ajo theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nën presion, veçanërisht për shkak të sulmit në Banjskë, por edhe për shkak të ndikimit të ekspozuar të Rusisë në pjesë të qeverisë në Serbi.

“Personalisht Vuçiq është nën një presion të madh jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por mbi të gjitha për shkak të Banjskës, pasi ishte një rrezik sigurie për të gjithë rajonin, por edhe për Europën, ndaj së cilës Perëndimi reagoi menjëherë. Raporti që doli nga Qeveria e Kosovës, i cili është shumë e detajuar dhe shumë bindës. Nga ana tjetër, e keni Rusinë që e lavdëron Serbinë, gjithçka që Beogradi do të donte ta fshehte apo jo, në çdo rast praninë e Rusisë, e cila padyshim ka një ndikim të fortë, është ekspozuar në disa struktura në këtë vend”.

Biserko nuk pret që Vuçiq të reagojë në këtë moment për qëndrimet e Rezolutës së PE për zgjedhjet dhe Kosovën, sepse siç thotë, ai është në pritje të zgjedhjeve amerikane dhe europiane.

“Pozicioni i tij do të përcaktohet ashtu siç ecin gjërat. Do të duhet pak kohë sepse ai sigurisht nuk do të marrë vendime tani dhe shpejt”, tha Sonja Biserko.


(Kosova Sot Online)